Javier Cercas: “Pritej. Jemi në luftë, por për të fituar nuk mjafton ushtria”

Evropë

Javier Cercas: “Pritej. Jemi në luftë, por për të fituar nuk mjafton ushtria”

Më: 20 gusht 2017 Në ora: 07:11
Sulmi Barcelona

Reagimi i parë i Javier Cercas për sulmin në Barcelonë ishte “tronditje”. I dyti, rrëfen shkrimtari i madh spanjoll, i cili ka jetuar për shumë vite në Barcelonë, ishte më refleksiv: “Thashë me vete, nuk është kaq e çuditshme që na sulmuan. Ne e dinim dhe kjo ndodhi në kohë, jo rastësisht prej disa muajsh, anti-terrorizmi ishte në gatishmëri. Por parandalimi i sulmeve të tilla është i pamundur, autoritetet nuk kanë faj”. më pas, autori i “Ushtarët e Salaminës” dhe “Anatomia e një momenti” i bën vetes një tjetër pyetje: pse Spanja? “Pas sulmeve në Afrikën e Veriut, kemi shumë turistë, kështu që mund të jemi një shënjestër e mirë për terroristët. Por edhe pse ISIS dhe grupe të tjera xhihadiste na kishin kërcënuar, nuk mendoj se ka një shpjegim logjik. Sepse ne jemi të gjithë në luftë, ta themi haptaz”.

Në çfarë kuptimi, Cercas?

“Sulmi i djeshëm në Barcelonë mund të ndodhë kudo: Francë, Gjermani, Itali … Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se kjo është një luftë totale, ajo do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Dhe për ta fituar atë, bombat nuk mjaftojnë”.

Dhe çfarë nevojitet?

“Ne duhet t’i kuptojmë këta terroristë. Kjo nuk do të thotë t’i justifikojmë, të jemi të qartë. Por, ashtu sikurse Mandela studionte aparteidin për ta mposhtur atë, duhet ta kuptojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, ideologjinë e frikshme xhihadiste, dhe se si ajo mund të kapë të rinjtë, të pafavorizuarit dhe kriminelët që jetojnë mes nesh. Pas masakrës së Bataclanit, kryeministri francez Manuel Valls tha: “Nuk mund të shpjegojmë një barbarizëm të tillë. Sepse ta shpjegosh, do të thotë ta justifikosh. Është e papranueshme që të përpiqemi të kuptojmë një sulm terrorist”. Unë nuk jam aspak dakord”.

E si mund të arsyetosh për akte të tilla, Cercas?

“Forca, policia dhe ushtria janë të domosdoshme për të luftuar terrorizmin, por ato nuk janë të mjaftueshme. Kjo e terroristëve islamikë është një luftë që nuk është vetëm ushtarake, por idealesh, e mendimit. Për të fituar, duhet të luftojmë ideologjinë toksike dhe nihiliste që përhapet me përjashtimin social, në rrethanat që i çojnë këta terroristë të mendojmë: “Ne duam më shumë vdekjen, se sa jetën”. Një doktrinë e tillë kurrë nuk mund të shkatërrohet vetëm nga bomba”.

Sulmi i fundit islamik në vendin tuaj ndodhi në Madrid, në vitin 2004. Pas Barcelonës, Spanja ka gjasa të bëhet islamofobike?

“Do të shohim. Sigurisht, është qëllimi i terroristëve që duan të shkatërrojnë një shoqëri, e cila ka mirëpritur shumë myslimanë gjatë dekadave të fundit. Ndoshta islamofobia do të rritet pak. Por unë jam optimist, dhe e dini pse? Spanja është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk kanë një parti të madhe islamofoe, ksenofobe apo raciste. Dhe unë mendoj se ky sulm nuk do të ndryshojë njerëzit këtu”.

Edhe për shkak se Spanja është e mësuar me terrorizmin pas problemeve me ETA-n?

“Askush nuk mësohet me terrorizmin. Por ky është një kërcënim shumë i ndryshëm nga ai i ekstremistëve baske. Terroristët e ETA-s nuk dëshironin të vdisnin si këta të ISIS. Përballë ndjekësve të Shtetit Islamik, ekstremistët baskë ishin pothuaj një shaka. Fuqia e këtij terrorizmi islamik është shumë më shkatërruese. Nuk është habi, pas sulmeve të Al Kaidës në 2004, ETA filloi të zhduket”. / La Repubblica – Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat