Mafia italiane abuzon me fondet publike për refugjatët

Evropë

Mafia italiane abuzon me fondet publike për refugjatët

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 07:37
Refugjatë

Mafia italiane përfiton nga biznesi me “përkujdesjen për refugjatët”. Në provinca janë manipuluar fondet. Policia ka arrestuar më shumë se 60 mafiozë lidhur me abuzime me fondet publike për refugjatët.

Aktualisht Italia është vendi me fluksin më të madh të refugjatëve që vijnë përmes Mesdheut, kryeisht nga brigjet e Libisë. Italianët njihen për gatishmërinë e tyre të ndihmojnë të huajt, në këtë sfond krahas shtetit italian që ve në dispozicion të komunave para nga fondet publike edhe edhe BE-ja jep mjaft fonde. Por mafia ka depërtuar në këtë biznes dhe synon të nxjerrë përfitime milionëshe në kurriz të refugjatëve në nevojë.

Një rast nën hetim nga Kalabria ka nxjerrë në pah edhe involvimin e kishës në afera të tilla. Operacioni Johnny’ ka në shënjestër mafian ‘Ndrangheta’ të Kalabrisë. Ata besohet të kenë shpërdoruar miliona euro në qendrat e emigrantëve. Gjithashtu ndodhet nën hetim edhe Vëllazëria Katolike e Bamirësë. 68 të dyshuar janë arrestuar duke përfshirë edhe priftin, Don Edoardo S., dhe menaxherin e kampeve të refugjatëve, Leondardo S .

Prokurori Nicola Gratteri drejton hetimet. Ai thotë se mafia ka fituar miliona prej migrantëve për vite me rradhë:”Një mënyrë se si ata kanë fituar ishte, për shembull, duke pretenduar se në një kamp ishin strehuar dhe ushqeheshin 1000 vetë, ndërkohë që në të vërtetë aty kishte vetëm 500 vetë për të ushqyer. Dhe  në ditët e tjera kur ka pasur ndonjëherë vërtetë edhe më shumë njerëz, ata nuk kanë mundur të ushqehen, sepse s’ka pasur mjaftueshëm ushqim. ”

Kur ekipi i gazetarëve viziton qendrën e strehimit të refugjatëve, në kampin e dytë më të madh të emigrantëve në Sant’Anna di Isola Capo Rizzuto, drejtuesit e kampit tregojnë gjendjen përreth, por nuk duan të dalin para kamerave. Dhe të japin intervista. Aktualisht në kamp ka më shumë se 1100 emigrantë. Në përshtypjen e parë gjithçka duket e pastër dhe e rregullt. Ka në dispozicion shërbim mjekësor dhe konsulencë psikologjike. Ata duket se janë të përkushtuar ndaj njerëzve në nevojë.

Prokurori Nicola Gratteri, ve në dukje, se “nga regjistrimi i telefonatave ne zbuluam, që 186 000 euro ishin të destinuara për të blerë gazeta për emigrantët, ishin pezulluar. Më pas ato para iu dhanë një prifti, për ‘mbështetje shpirtërore ndaj migrantëve’.”

Mafia nuk menaxhon vetëm qendra të emigrantëve, por edhe toka të mëdha bujqësore. Atje ato i punësojnë emigrantët duke u paguar fare pak. Kjo duket si skllavëri moderne në qendër të Evropës. Yvan Sagnet nga Kameruni, na tregon, se kur studionte në Torino, donte të fitonte pak para. Si ndihmës për të korrat ai paguhej me 3,50 euro për 300 kilogram të vjela. Pasi punoi pesë ditë ai u indinjua nga kushtet dhe organizoi një grevë. 700 afrikanë e mbështetën atë.

Yvan Sagnet: “Ishte shumë e rrezikshme, sepse kishte të bënte me luftimin e sistemit që ishte më shumë se sa vetëm shfrytëzim i thjeshtë, sepse pas kësaj qendron mafia.” Kemi pasur kërcënime me vrasje dhe sa më gjatë protestonim, aq më shumë shtoheshin kërcënimet, thotë ai

1,2 milionë njerëz punojnë në bujqësi në Itali. Sindikatat thonë se më shumë se gjysma po shfrytëzohen – gjithashtu nga mafia. Migrantët zakonisht nuk e kanë idenë se kush qendron pas kësaj skeme. Ata thjeshtë duan të fitojnë para për të mbijetuar.

Yvan Sagnet: “Këta njerëz kanë nevojë për mbrojtje, ata bien pre e shantazhuesve, ndaj duhet të angazhohen agjentë të rregullt punësimi për emigrantët, madje ka edhe një sistem të rekrutimit, që nuk realizohet vetëm në getot e migrantëve apo në rrugë, por që i rekruton ata në qendrat e emigrantëve”.

Nuk ka kontrolle të mjaftueshme në vendstrehimet e emigrantëve ose në bujqësi. 35 Euro në ditë i jepen kujdestarit, nga Vëllazëria e Bamirësisë, për trajtimin e një refugjati në strehimoren e  Sant’Anna di Isola Capo Rizzuto. A janë këto shumë para apo pak, pyesim prokurorin Nicola Gratteri, nga Catanzaro: “Nëse furnizon ushqim të mirë, me të parë e të dytë, nëse shpërndan rroba të pastra, atëherë 35 Euro nuk janë shumë. Por nëse shpërndan vetëm supë me shumë lëng e disa fije makarona në mbrëmje dhe në mëngjes e në drekë gatuan vetëm spageti me salcë domatesh, atëherë kuptohet që 35 Euro janë shumë.”    

102 milionë Euro i paguan shteti qysh prej dhjetë vjetësh Vëllazërisë së Bamirësisë. 36 milionë para shkojnë në xhepat e mafies, gati 200 mijë në duart e priftit. Këtu kanë bashkëpunuar ngushtë prifti Don Edoardo S. dhe menaxheri i qendrës Leonardo S., thotë prokurori. “Bosi i mafies duhet të tregohet i afërt me priftin. Prifti është njeri i rëndësishëm në fshat. Ai zgjedh dhe zgjidhet. Priftin e vlerësojnë dhe i besojnë. Ai që shihet bashkë me priftin legjitimohet. Mafiozët nga ana formale janë zemërgjerë kundrejt kishës.”

Një dramë në kurriz të më të dobtëve. Biznese të ngjashme ka edhe në Sicili. E kjo s’ka të ndalur në sfondin e valës së refugjatëve. Prokurori Gratteri është i kënaqur, që të paktën përkohësisht i ka dhënë fund kësaj drame. Ai së shpejti mund të ngrejë padinë dhe shpreson, që procesi të fillojë deri  në fund të vitit./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat