Rusi: “Filtrim” i rivalëve në ndihmë të kandidatëve të Kremlinit

Evropë

Rusi: “Filtrim” i rivalëve në ndihmë të kandidatëve të Kremlinit

Më: 21 gusht 2017 Në ora: 12:15
Pamje nga Kremlini, foto ilustrim

Politikani i pavarur, Yevgeny Roizman, kryetar i Jekaterinburgut, që është qyteti i katërt më i madh në Rusi, nuk heziton t’i vlerësojë gjasat e tij në zgjedhjet e ardhshme për guvernator në rajonin e tij, nëse, natyrisht, ai do të lejohet të kandidojë.

“Unë do të fitoja, qartas dhe thjeshtë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Roizman, i cili në vitin 2013, triumfoi kundër kandidatit të partisë së presidentit, Vladimir Putin, dhe u bë kryetar i Jekaterinburgut, qytet në Ural.

Por, votuesit në rajonin e lindjes Sverdlovsk të zotit Roizman, nuk do të kenë rast të votojnë për këtë politikan 54-vjeçar, në zgjedhjet e ardhshme për guvernator, që planifikohen të mbahen më 10 shtator, pra, para zgjedhjeve presidenciale më 18 mars të vitit 2018, në të cilat pritet kandidimi i presidentit Putin, dhe rrjedhimisht, edhe fitorja e tij.

Yevgeny Roizman dhe politikanët në rajonet e tjera thonë se ata nuk po lejohen të kandidojnë për shkak të mekanizmit juridik i njohur si “filtri komunal”, për të cilin kritikët thonë se shfrytëzohet për eliminimin e kandidatëve të fuqishëm potencialë në garën kundër kandidatëve që mbështeten nga Kremlini.

Ky mekanizëm, i paraqitur pasi kryeministri i tashëm, Dmitry Medvedev, po ashtu ish-president i Rusisë, i ktheu zgjedhjet direkte për guvernatorë në 16 rajone, në periudhën kur i përfundoi presidenca në vitin 2012. Sipas kësaj dispozite, kandidatët e mundshëm në këto zgjedhje duhet të mbledhin nënshkrime nga 5 e deri në 10 përqind të ligjvënësve lokalë.

Këtë masë të gjerë kufizuese për ta pasur kontrollin politik në Rusi, Kremlini e ndërmori pas protestave masive në periudhën 2011-2012, në Moskë, kundër kthimit të Putinit në Presidencë dhe për shkak të zgjedhjeve parlamentare, që kritikët i konsideronin si të parregullta dhe mashtruese.

Meqë partia Rusia e Bashkuar e Putinit, dominon në legjislaturat lokale në gjithë vendin, mbledhja e nënshkrimeve të domosdoshme, paraqet pengesë madhore për kandidatët opozitarë dhe kandidatët e tjerë potencialë, që garojnë kundër elitave rajonale, që janë lojale ndaj Kremlinit, thonë analistët.

Mbështetësit e këtij procesi të filtrimit thonë se ai i parandalon grupet e kandidatëve margjinalë nga krijimi i çrregullimit në fletëvotime.

Megjithatë, Yevgeny Roizman, thotë se në rajonin e tij në Sverdlovsk ka ndodhur që të lejohet vetëm garimi i kandidatëve të dobët kundër guvernatorit aktual, Yevgeny Kuivashev, të cilin Putin e ka emëruar si ushtrues të detyrës së guvernatorit, në muajin prill të këtij viti.

“Nuk ekziston asnjë sfidues i fuqishëm i vetëm, asnjë kandidat i fuqishëm as që ka mundur të afrohet”, tha Roizman lidhur me garën zgjedhore.

Mëtutje ai thekson se “kishte provuar, por ishte bindur se filtri komunal ishte i pakalueshëm”.

Kritikët e Roizmanit e kanë akuzuar atë se nuk ka bërë përpjekje serioze për mbledhjen e nënshkrimeve që të fitonte të drejtën e kandidimit.

“Është vështrië për mua të besoj se zoti Roizman i pamëshirshëm, zyrtar i lartë, lider, kryetar i qytetit, që ka burime të caktuara administrative, është një lloj viktime, që keqtrajtohet nga regjimi”, tha shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rusi, Ella Pamfillova, në intervistën për të përditshmen biznesore ruse, RBK, më herët këtë muaj.

Por kritika e Roizmanit për filtrin komunal të kandidatëve është mbështetur këtë javë edhe nga një studim i ri i publikuar nga një institut i themeluar nga ish-ministri i financave i Rusisë, Aleksei Kudrin, që për një kohë të gjatë ishte aleat i Putinit.

Ky studim, i publikuar më 14 gusht, ka zbuluar se mekanizmi juridik, në formën e tij aktuale “e bën një zgjedhje të vërtetë alternative praktikisht të pamundshme në shumicën absolute të rasteve”.

“Shumë kandidatë potencialë me nivel të lartë të njohur dhe përvojë të madhe zgjedhore, nuk mund të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në studim dhe shtohet se ky proces i filtrimit, po ashtu, shfrytëzohet nga elitat rajonale për t’i regjistruar vetëm kandidatët e “rrejshëm” të cilët nuk përfaqësojnë sfidë reale./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat