Saakashvili thotë se vëllai i tij është arrestuar në Ukrainë

Evropë

Saakashvili thotë se vëllai i tij është arrestuar në Ukrainë

Më: 2 shtator 2017 Në ora: 18:16
Mikheil Saakashvili

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, tha se vëllai i tij David është arrestuar në Kiev të Ukrainës.

Zoti Saakashvili, që dikur ishte edhe guvernator i rajonit Odesa në Ukrainë, ka shkruar në rrjetin Facebook se vëllai i tij ishte arrestuar sot në mëngjes afër shtëpisë së tij, nga tetë oficerë të agjencive të zbatimit të ligjit.

Saakashvili theksoi se autoritetet e Ukrainës “qartazi po përpiqen të ndikojnë që ai të kthehet” në këtë vend.

Aktualisht ai është në Poloni dhe muajin e kaluar i ka shpallur planet për kthim në Ukrianë më 10 shtator, duke e kaluar kufirin polako-ukrainas në rajonin perëndimor Lvov të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ia tërhoqi Saakashvilit shtetësinë unkrainase, më 26 korrik të këtij viti.

Këtë veprim, Saakashvili e ka dënuar, duke e cilësuar si “mënyrë ilegale për ta larguar atë nga skena politike në Ukrainë”.

Autoritetet e Ukrainës kanë thënë se nuk do ta lejojnë hyrjen e Saakashvilit në këtë vend dhe se do t’ia konfiskojnë pasaportën, nëse ai provon të hyjë në Ukrainë.

Në vitin 2015, Mikheil Saakashvilit i ishte marrë shtetësia e tij e Gjeorgjisë, pasi atij i ishte dhënë pasaporta e Ukrainës, me qëllim që të bëhej guvernator i rajonit Odesa. Nga ky post ai dha dorëheqje në muajin nëntor të vitit të kaluar, duke thënë se qeveria në Kiev po i sabotonte reformat madhore.

Nga ana tjetër, Gjeorgjia e kërkon ekstradimin e zotit Saakashvili, për tu ballafaquar me akuza për shpërndarje të dhunshme të protestuesve dhe për ndërhyrje në një stacion privat televiziv.

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, thotë se akuzat janë politikisht të motivuara.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat