Fushatë elektorale e mërzitshme? E keni gabim!

Evropë

Fushatë elektorale e mërzitshme? E keni gabim!

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 09:16
Merkel

Në vitin 2015 unë u largova nga SHBA, një vit e gjysmë para zgjedhjeve presidenciale. Që atëherë, fytyra e Donald Trumpit mund të shihej çdo ditë në televizor. Të dukej sikur dëgjoje fëshfërimën e erës, që sinjalizon furtunën. Barack Obama, presidenti ende në pushtet, shfaqej gjithnjë e më pak në lajme dhe dukej i pazoti që të ndikonte për diçka politikisht.

Çfarë kontrasti me kohët e fushatës elektorale, që po përjetoj për herë të parë tani në Berlin! Vetëm dy javë para zgjedhjeve për në Bundestag mori me të vërtetë vrull fushata elektorale. Sfiduesi i Merkelit nga radhët e SPD, Martin Schulz e bëri të njohur vetëm në janar kandidaturën e tij. Deri në fund të gushtit, rezultatet e anketimeve konsideroheshin pak domethënëse, sepse konsideroheshin të hershme. "Lodhje" e quajnë këtë mediet në Evropë. Unë mendoj se ky qendrim meriton respekt!

Shtylla ndriçimi të rrugëve, kartona, portrete

Edhe pllakatat e vjetra të zgjedhjeve, që varen në Berlin në çdo të dytën shtyllë ndriçimi të rrugëve mua më duken të këndshme, qetësuese. Tamam stil i vjetër. Shumë më qetësuese se vërshimi i spoteve televizive dhe emaileve me spam, që derdhen mbi amerikanët e SHBA në fushatën elektorale. Gjermanët që ndihen të afërt me teknikën bëjnë shaka para meje për fushatën analoge elektorale gjermane, më shohin si të dërguar nga Vendi i Digjitales.

Ajo që ndodh në SHBA në fushatën elektorale mund të jetë moderne, por është edhe monstruoze. Në vitin 2008, ekipi i Obamas përdori për herë të parë "Mikrotargeting". Sot ai është standard. Kandidatët mbledhin të dhëna për të gjithë ata që janë regjistruar si zgjedhës, duke nisur që nga mosha e deri te preferencat televizive. Në këtë mënyrë, zgjedhësit mund të përmblidhen në grupe. "Nënat e reja" marrin reklama televizive të përshtatura për to, të cilat mund të jenë krejtësisht të ndryshme nga ato të "hispanikëve konservatorë" .

Zgjedhje mbi bazën e shifrave

Njerëzit e Trumpit përdorën "Voter Suppression Operations". Me publicitet negativ kundër Hillary Clintonit u synua që para së gjithash votues të zinj të mos votonin për rivalen e tij. Objektivi qe vetëm që ata të mos shkonin të votonin. Clintoni përdori një algoritëm të quajtur "Ada", i cili përpunonte çdo ditë 400.000 modele të ndryshme teorike për rezultatin e zgjedhjeve dhe jepte pastaj rekomandime se ku duhet të mbante fjalime Hillary Clintoni ose ku duhet të aktivizonte reklama televizive, për t'i shtuar shanset e fitores.

Sjellje e hijshme në vend të algoritmave

E drejta gjermane për mbrojtjen e të dhënave nuk lejon gjëra të ngjashme. Të gjitha të dhënat e zgjedhësve duhet të anonimizohen. Lejohet që me të dhënat e tjera të kombinohet vetëm vendndodhja, por jo emrat ose numrat e telefonit. Një këshilltar i ekipit elektoral të Merkelit më tha se një komplet i mirë të dhënash natyrisht do ta lehtësonte punën e tij, por kjo nuk do të ishte në përputhje as me ligjet gjermane dhe as me kuptimin e tij për sjelljen e hijshme.

Ka edhe një shkak tjetër, se pse fushata elektorale në Gjermani është shumë më pak interesante se në SHBA. Kandidatët e katër partive më të mëdha në Gjermani kanë shpenzuar për fushatën elektorale të vitit 2013 gjithsej më pak se 60 milionë euro. Në SHBA vetëm Hillary Clinton mblodhi për fushatën e saj 1.2 miliardë euro donacione.

Kill your idols

Unë nuk jam dashamirës i një politike të mërzitshme. Një debat i gjallë është i domosdoshëm. Dhe ai vuan natyrisht nga fakti se Merkeli dhe Schulzi kanë mendime të ngjashme për shumë çështje. Kurse një njeri si Trumpi duket se për fat të keq është rrjedhoja logjike e një kulture fushatash elektorale, e cila në plan të parë vë zbavitjen dhe jo informacionin, që e konsideron më të rëndësishme mbledhjen e të dhënave se sa debatin. Kur të dojë Gjermania t'i modernizojë zgjedhjet e saj, kur të dojë ta bëjë më pikante fushatën elektorale ajo nuk duhet të marrë SHBA për model. /dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat