Brexit, BE-ja i druhet “dobësisë” së May

Evropë

Brexit, BE-ja i druhet “dobësisë” së May

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 12:28
Theresa May dhe ministri i jashtem britanik

Brukseli druhet se Theresa May e dobësuar politikisht nuk do të jetë në gjendje që të mbajë premtimet që do të japë gjatë një fjalimi për Brexit.

Keir Starmer, sekretari hije për Brexit nga radhët e laburistëve, pas takimeve me lojtarët kryesorë të ekipit negociues evropian, tha se pritshmëritë e mëdha në Bruksel për fjalimin e May të planifikuar të premten, janë goditur rëndë nga shqetësimet për dobësinë e saj.  

Starmer deklaroi për “The Guardian” se ishte takuar me shefin negociues të BE-së, Michel Barnier, zëvëndësesen e tij Sabine Weyand dhe Martin Selmayr, shefin e stafit të presidentit të BE-së, Jean-Claude Juncker dhe të gjithë këta ishin shumë skeptikë për mbajtjen e çdo premtimi që May do të bëjë. 

"Ata duan të shohin progres të vërtetë dhe jo thjesht një fjalim e asgjë tjetër”, deklaroi Starmer. Politikani opozitar tha se BE pret që May të flasë për faturën e Brexit, ndërsa nga mediat raportohet se qeveria britanike ka informuar Gjermaninë se kryeministrja do të ofrojë të mbushë një boshllëk buxhetor të unionit post-Brexit prej 20 miliardë eurosh. Starmer gjithashtu raportoi se BE-ja nuk i merr aspak seriozisht komentet e ministrit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, se Londra nuk do të bëjë asnjë pagesë për të qenë pjesë e tregut të përbashkët, pasi kjo nga Brukseli konsiderohet një fantazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat