OKB: Rusia, përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut në Krime - Bota Sot
OKB: Rusia, përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut në Krime

Evropë

E diel, 17 dhjetor 2017

OKB: Rusia, përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut në Krime

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 18:29
Ilustrim

Një raport i hartuar nga Kombet e Bashkuara akuzon Rusinë se po kryen “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” në Krime.

 Agjencia për të drejtat e njeriut në OKB thotë më tej se ka dokumentuar të gjitha arrestimet arbitrare, torturat dhe të paktën një ekzekutim të jashtëligjshëm në rajon.

“Llogaridhënia është një nevojë urgjente”, thotë shefi i agjencisë së OKB-së, Zeid Ra’ad Al-Hussein. Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina, pas rrëzimit të presidentit ukrainas prorus në vitin 2014. Për raportin dhe akuzat që ngre ai, ende nuk ka asnjë reagim nga Moska zyrtare. 

“Shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, siç janë arrestimet arbitrare dhe paraburgimet, zhdukjet me forcë, torturat e njerëzve të sëmurë, e të paktën një ekzekutim i jashtëligjshëm ekstragjyqësor janë dokumentuar”, thuhet në raportin, ku shtohet më tej se në Krime ka pasur “bastisje të bezdisshme të forcave ligjzbatuese ndaj pronave private, që bien ndesh me të drejtën për privatësi”.

Raporti, i cili thekson se situata e të drejtave të njeriut është “përkeqësuar ndjeshëm” në rajon, nënvizon gjithashtu se qindra të burgosur janë transferuar në mënyrë të paligjshme nga Krimea në burgjet e Rusisë. Në të thuhet gjithashtu se nëpunësit civilë janë detyruar me forcë të heqin dorë nga shtetësia ukrainase, në të kundërt përballeshin me heqjen nga puna, ndërsa dënohet gjithashtu edhe vendimi i Moskës për të zëvendësuar ligjet ukrainase me ato ruse.

“Edukimi sipas sistemit ukrainas është zhdukur nga shkollat e Krimesë”, lexohet në raport. Raporti është bazuar në intervistat e zhvilluara nga Ukraina, pasi hetuesit e të drejtave të njeriut nuk janë lejuar të hyjnë në rajonin e aneksuar. Krimea, e cila ka një shumicë popullsie rusishtfolëse, votoi për t’iu bashkuar Federatës Ruse në një referendum që Ukraina dhe Perëndimi e konsideruan të paligjshëm. OKB-ja thotë gjithashtu se pakica tatare e Krimesë, që përbën 12 për qind të popullsisë, është vënë në shënjestrën e këtyre keqtrajtimeve.

 Parlamenti tatar, “Mejlis”, bojkotoi referendumin për bashkimin me Rusinë. Moska thotë nga ana e saj se “Mejlis” është thjesht një organizatë ekstremiste dhe ndaloi ekzistencën e saj gjatë vitit të kaluar. “Ndërsa shkeljet dhe abuzimet me të drejtat e njeriut kanë prekur rezidentë krimeanë të etnive të ndryshme, tatarët e Krimesë janë shënjestruar veçanërisht, e sidomos ata me lidhje me Mejlisin”, thekson raporti i OKB-së. Ai shton më tej se ndalimi i “Mejlis” ka shkelur të drejtat civile, politike dhe kulturore të tatarëve të Krimesë. Hussein e akuzon Rusinë se ka dështuar të hetojë shkeljet mbi të drejtat e njeriut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test