BE ngre prokurorinë e përbashkët

Evropë

BE ngre prokurorinë e përbashkët

Më: 6 tetor 2017 Në ora: 13:30
Parlamenti evropian

Nga Greqia, Bullgaria e Rumania e deri në Irlandë. Rastet e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian dhe jo rrallë dyshimi i shfrytëzimit të këtyre burimeve nga krimi i organizuar për pastrim parashë janë të shumta.

Për të luftuar këtë fenomen, udhëheqësit e Unionit europian kanë nisur prej vitesh bisedimet për ngritjen e një strukture të përbashkët që do të luftojë dhe dënojë abuzuesit. Bëhet fjalë për një prokurori europiane.

E pas shumë vitesh bisedimesh jo fort të lehta, Parlamenti Europian miratoi me shumicë të ndjeshme në Strasburg projektin për ngritjen e kësaj strukture, që do të financohet nga Brukseli dhe do të ketë juridiksion në të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Ajo që njihet si EPPO do të veprojë kundër korrupsionit, pastrimit të parave, abuzimeve me paratë e BE-së, mashtrimeve me taksën mbi vlerën e shtuar në nivel ndërkufitar e të tjera krime të kësaj natyre.

Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së vendeve anëtare u mungojnë të paktën 50 miliardë euro të ardhura vetëm nga abuzimet me TVSH-në.

Selia e EPPO-s do të vendoset në Luksemburg dhe zyrtarisht do të fillojë punën nga viti 2020. Secili vend anëtar i BE-së do të emërojë në këtë strukturë një prokuror të deleguar, që do të jetë aktiv në punën e tij, por në bashkëpunim me institucionin.

Nisma nuk është përkrahur nga tetë vende anëtare, mes tyre edhe Polonia dhe Hungaria, ndërkohë që mbështetësja më e zjarrtë e këtij ngritjes së kësaj strukture ka qenë Gjermania, që thotë se në të ardhmen kjo Prokurori të zgjerohet edhe në hetimin e krimeve të tjera dhe veçanërisht terrorizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat