Katalunjë, pezullohet pavarësia. Puigdemont: Mundësi për dialog

Evropë

Katalunjë, pezullohet pavarësia. Puigdemont: Mundësi për dialog

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 19:57
Carles Puigdemont

(E plotësuiar) - “Nuk kam planifikuar kurrë asnjë kërcënim apo ofendim ndaj dikujt. Jemi të gjithë pjesë e të njëjtit komunitet”, kanë qenë fjalët e para të presidentit të Katalunjës, në fjalimin e shumëpritur për të adresuar çështjet e pavarësisë së rajonit të pasur verilindor nga Spanja.

“Ishte hera e parë që një votim zhvillohej nën sulmin e policisë, e kjo për shkak se qeveria spanjolle është sjellë në një mënyrë agresive ndaj nesh. Megjithatë, më shumë se dy milionë njerëz mposhtën frikën dhe dolën për të votuar”, tha më tej Carles Puigdemont.

“Çështja katalanase nuk është një çështje vetëm e jona, por e të gjithë Europës. Që prej përmbysjes së diktaturës së Frankos, Katalunja ka kontribuuar gjithnjë për demokraci dhe paqe, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Ne kemi dashur gjithmonë të uleshim në bisedime me qeverinë e Madridit”, ka theksuar më tej Puigdemont.

E menjëherë pas këtij fjalimi ka ardhur edhe vendimi i shumëpritur për katalanasit, e i shumëkritikuar nga qeveria qendrore spanjolle, për shpalljen e pavarësisë së rajonit autonom nga Spanja. “Tashmë ka ardhur momenti deciziv për Katalunjën, e unë si president ndjek vullnetin e popullit për ta shpallur të pavarur Katalunjën. Por dua të marr ende kohë për t'i dhënë mundësi dialogut, duke pezulluar efektet e shpalljes së pavarësisë”.

Image

Katalunjë, pritet fjalimi i shtyrë i Puigdemont

Një fjalim kyç i presidentit katalanas, Carles Puigdemont, për shpalljen e pavarësisë nga Spanja, pritet të mbahet tani pasi u shty për një orë. Ai mbërriti rreth orës 17:00 në Parlamentin rajonal të Katalunjës, por u detyrua të thërriste mbledhjen e grupit parlamentar mbi kërkesën e opozitës për anulimin e mëvetësisë.

Fjalimi që do të adresojë shkëputjen, edhe pse nuk dihet se çfarë do të thotë Puigdemont, pritet të pasohet nga një votim për shpalljen e pavarësisë nga Spanja. Gjë që do të shkaktojë padyshim një përplasje të ashpër me qeverinë spanjolle, që ka deklaruar se çdo deklaratë e njëanshme pavarësie do të ishte e paligjshme dhe e pavlerë.

Referendumi kontrovers i 1 tetorit u pasua nga protesta masive dhe të dhunshme mes policisë kombëtare dhe demonstruesve. Madridi thotë se votimi ishte i paligjshëm dhe ka premtuar të bllokojë çdo lëvizje të mëtejshme drejt shkëputjes së rajonit të pasur verilindor të vendit. Për këtë arsye, policia katalanase ka rrethuar Parlamentin në Barcelonë, duke mbyllur të gjitha hapësirat për publikun.

Vetëm pak minuta më parë, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u radhit mes zërave që nxisin Puigdemontin të mos e shpallë pavarësinë. Në komentet e tij të fundit mbi këtë krizë, udhëheqësi i BE-së tha se pasojat do të ishin “padyshim të këqija për katalanasit, për Spanjën dhe për të gjithë Europën”.

“Na lejoni të shohim gjithnjë gjërat që na bashkojnë e jo ato që na përçajnë. Kjo është vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë”, ka thënë Tusk.

Por, nga ana tjetër, është kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon, që ka dalë në mbështetje të pavarësisë së Katalunjës. Kjo pasi, e ardhmja e këtij rajoni është veçanërisht nën interesin e Skocisë, që zhvilloi një referendum të ngjashëm në vitin 2014, me ndryshimin se atje ishte i bazuar në ligjet e Britanisë së Madhe.

Sturgeon gjithsesi bëri thirrje për dialog, e tha se “ka ardhur koha që qeveria spanjolle të ulet me qeverinë katalanase”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat