Dënohen ish-ushtarët boshnjakë për mbajtjen e civilëve në një shkollë

Evropë

Dënohen ish-ushtarët boshnjakë për mbajtjen e civilëve në një shkollë

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 09:10
I akuzuari Enes Curiq

Tre ish-ushtarakë të Ushtrisë Boshnjake u dënuan me një total prej 17 vjetësh burg për krime kundër civilëve kroatë që mbaheshin në një shkollë pranë Mostarit në vitin 1993.

Gjykata Shtetërore e Bosnjës në Sarajevë të premten dënoi Enes Curiqin me pesë vjet burg dhe Ibrahim Demiroviqin me dhjetë vjet për pjesëmarrje në ndalimin e paligjshëm dhe trajtimin çnjerëzor të civilëve kroatë të Bosnjës në Bijelo Polje.

Të dënuarit, sipas aktakuzës, i detyruan civilët kroatë të bënin punë të detyruar, ndërsa Habib Copelj u dënua me dy vjet burg për abuzimin me civilët e ndaluar.

Demiroviq u shpall gjithashtu fajtor për përdhunimin e një të burgosure.

Dy ushtarë të tjerë të Ushtrisë Boshnjake, Samir Kreso dhe Mehmed Kaminiq u liruan nga akuzat.

Gjykatësi Stanisa Gluhajiq tha se ishte vërtetuar përtej çdo dyshimi se Curiq, Demiroviq dhe Copelj ishin përgjegjës për marrjen e një grupi të madh civilësh të cilët po mbaheshin në një shkollë fillore në fshatin Potoci pranë Mostarit, ndërsa u përdorën si mburoja njerëzore.

Curiq dhe Demiroviq u shpallën gjithashtu fajtorë se çuan 12 civilë të bënin punë të detyruar në kodrën aty pranë të Cucurakut, ku tre prej tyre u vranë.

Gluhajiq tha se ishte vërtetuar gjithashtu se Curiq dhe Demiroviq ishin të përfshirë në marrjen e të burgosurve për të hapur llogore në fronin e luftës në Mostar.

Curiq u dënua për pjesëmarrje në arrestimet e paligjshme të civilëve. Gjykata nuk pranoi pretendimin e mbrojtjes se civilët u shpërngulën për sigurinë e tyre.

Ai u dënua edhe për marrjen e katër grave që të nxirrnin ushtarët e plagosur nga lumi Neretva.

“U vërtetua gjithashtu përtej çdo dyshimi se Demiroviq përdhunoi (një grua që dëshmoi si dëshmitare e mbrojtur e njohur me kodin) Dëshmitarja B). Ajo përshkroi me detaje se si u mor nga shkolla në Potoci dhe se si veproi Demiroviqi. Deklaratat e dëshmitarëve të tjerë e mbështetën deklaratën e saj”, tha gjyqtari Gluhajiq.

Gluhajiq tha gjithashtu se u gjet se i pandehuri Copelj mbajti një të burgosur në një shtëpi të braktisur dhe i thoshte atij të zhvendoste rërë nga një cep në një tjetër, gjë që i shkaktoi të pandehurit dhimbje dhe u sigurua që ai “të kollitej nga pluhuri për ditë me radhë”.

Ndërkohë, Kreso u lirua nga akuzat për pjesëmarrje në arrestimin e personelit mjekësor kroat të Bosnjës në Bijelo Polje, ndërsa Kaminiq u lirua nga akuzat për goditjen e një të burgosuri në shkollën në Potoci.

Curiq dhe Demiroviq u liruan gjithashtu nga akuzat për marrjen e katër grave për të pastruar shtëpitë dhe Demiroviq u lirua nga akuza se kishte kërcënuar të burgosurit në shkollë.

Vendimi mund të apelohet./Kallxo.con/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat