BE qëndron pranë marrëveshjes me Iranin, nuk e përkrah SHBA-në

Evropë

BE qëndron pranë marrëveshjes me Iranin, nuk e përkrah SHBA-në

Nga: Arben Sylejmani Më: 14 tetor 2017 Në ora: 09:19
Federica Mogerini

 Fuqitë globale, duke përfshirë aleatët kryesorë të SHBA-së, kanë thënë se do të qëndrojnë pranë marrëveshjes bërthamore të Iranit, të cilën Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar të anulojë, raporton BBC, përcjell “Bota sot”.

Trump të premten paralajmëroi se ai do të anulonte këtë marrëveshje.

Por, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania u përgjigjën se marrëveshja ishte "në interesin tyre të përbashkët të sigurisë kombëtare".

Edhe qëndrimi i Bashkimit Evropian është se nuk është e mundshme që një shtet i vetëm të anuloj një marrëveshje, e cila është nënshkruar prej shteteve më të fuqishme të botës.

Marrëveshja, është nënshkruar më 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive ndërkombëtare - Mbretërisë së Bashkuar, SHBA, Rusia, Franca, Gjermania dhe Kina.

Kjo marrëveshje imponoi kufizimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, në një fjalim luftarak të premten, zoti Trump e quajti Iranin një "regjim fanatik" dhe tha se ai kishte shkelur kushtet e marrëveshjes.

Ai akuzoi Iranin për sponsorizimin e terrorizmit dhe propozoi sanksione të reja.

"Ne nuk do të vazhdojmë në një rrugë ku përfundimi i parashikueshëm është më shumë dhunë, më shumë terror, dhe kërcënim shumë real për shpërthimin bërthamor të Iranit", tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat