Një gjykatë në Rusi ka gjobitur aplikacionin e mesazheve Telegram me 800,000 rubla (14,000 dollarë), pasi ai ka refuzuar t’i japë Shërbimit Federal të Sigurisë ruse disa të dhëna të koduara.
Vendimi u mor nga gjykatësja Yulia Danilchik në Gjykatën e Rrethit Meshçanski të Moskës.
Shefi ekzekutiv i Telegramit, Pavel Durov, ka thënë më 27 shtator se Shërbimi Federal i Sigurisë ruse e ka njoftuar atë se firma e tij po shkel ligjet anti-terrorizëm, të cilat kërkojnë nga kompanitë të lejojnë qasjen në komunikimet e koduara.
Durov i ka cilësuar këto ligje si jokushtetuese, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut si shkelje mbi privatësinë, që mund të përdoren për të heshtur mospajtimet.
Durov tha të hënën se do të ngrejë një ekip ligjor për të sfiduar veprimet e Qeverisë ruse.
Ai e ka lancuar Telegramin, bashkë me vëllanë e tij, në vitin 2013. Aplikacioni i mesazheve është bërë një forum me ndikim për lajme dhe debate.