Dëshmitarja: Luftëtarët e Arkanit vranë joserbë në Erdut

Evropë

Dëshmitarja: Luftëtarët e Arkanit vranë joserbë në Erdut

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 21:47
Stanishiq dhe Simatoviqi në gjyq

Në gjyqin e ish-krerëve të Sigurimit serb të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviç, u tha se luftëtarë që dyshohet se kontrolloheshin nga të pandehurit ndaluan dhe vranë joserbë në bazën në Kroaci që drejtohej nga shefi paraushtarak Arkani.

Një dëshmitare e mbrojtur e akuzës, e koduar me emrin RFJ-102, dëshmoi në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë se joserbët u arrestuan, rrahën dhe u vranë në një bazë të drejtuar nga një njësi paraushtarake serbe e udhëhequr nga Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, në fshati Erdut në zonën e Sllavonisë Lindore të Kroacisë në vjeshtën e vitit 1991.

Gjatë dëshmisë së saj, shumica e të cilës u dha me dyer të mbyllura, dëshmitarja tha se u arrestua nga njerëzit e Razhnatoviqit në fund të vitit 1991 dhe u dërgua në bazën në Erdut.

Në deklaratën e saj, RFJ-102 tha se njerëzit e Arkanit “e kontrolluan dhe kërcënuan atë”, duke thënë se do ta vrisnin.

Dëshmitarja tha se ndërkohë që burrat e Razhnatoviqit e kontrollonin, ajo “i dëgjoi ata të rrihnin” persona të tjerë të arrestuar.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës i Stanishiqit sugjeroi se dëshmitarja s’i kishte parë personalisht vrasjet e të ndaluarve, por kishte dëgjuar për to nga një tjetër person.

Dëshmitarja RFJ-102 tha se kjo ishte e vërtetë.

Jovica Stanishiq, ish-kreu i Sigurimit të Shtetit në Serbi, dhe ish ndihmësi i tij Franko Simatoviq akuzohen si përgjegjës për persekutimin, vrasjen, dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas akuzave, Garda Vullnetare Serbe e Arkanit kontrollohej nga Sigurimi serb i Shtetit.

Arkani u padit për krime lufte nga Gjykata e Hagës, por u qëllua për vdekje në Beograd në vitin 2000 dhe s’doli kurrë në gjyq.

Dëshmitarja e mbrojtur RFK-038 dëshmoi gjithashtu në seancën e të mërkurës për bazën e Arkanit në Erdut, ku ajo punonte si kuzhiniere në vitin 1991.

Duke përmbledhur deklaratën e saj me shkrim, të cilën gjykata e pranoi si provë, prokurorët thanë se dëshmitarja përshkroi “ndalimet e rastësishme” dhe abuzimin e joserbëve në bazën në Erdut, si edhe dëbimet dhe zhduket e kroatëve dhe hungarezëve etnikë nga fshati.

Duke folur për Razhnatoviqin, të cilin ajo e shihte çdo ditë në bazë, ajo tha se “të gjithë e kishin frikë me kuptimin e plotë të fjalës”.

Teksa i përgjigjej një sugjerimi nga avokati mbrojtës i Simatoviqit, dëshmitarja konfirmoi se “si serbët ashtu edhe kroatët” kishin frikë nga Arkani.

Avokati mbrojtës i Stanishiqit e pyeti dëshmitaren nëse ajo kishte parë ndonjëherë të burgosur të silleshin në bazën në Erdut.

“Jo, por një kolegu im i pa ata të sillnin tim shoq, duart e të cilit ishin të prangosura,” u përgjigj RFJ-038.

Sipas akuzave, ata ishin pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale të udhëhequr nga ish-presidenti serb Sllobodan Millosheviq, që synonte dëbimin me dhunë dhe të përhershëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës për të arritur dominim serb.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Gjyqi do të vazhdojë më 31 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat