Samiti i BE-së: May shpreson tek dhjetori

Evropë

Samiti i BE-së: May shpreson tek dhjetori

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 08:41
Jean-Claude Juncker dhe Theresa May

Kryeministrja britanike Theresa May largohet nga samiti pa një datë konkrete për fazën e dytë të Brexit, por ajo ka hasur në mënyrë të pazakontë në dashamirësinë e madhe të partnerëve europianë.

Mrekullia nuk ndodhi. Presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker para samitit kishte thënë, se duhet ndodhë një mrekulli, që të jepet drita e gjelbër në këtë takim për fazën e ardhëshme të bisedimeve për Brexit. Me pesimizmin e tij ai pati të drejtë. Sidoqoftë atmosfera mes kryeministres Theresa May dhe kryetarëve të tjerë të shteteve dhe qeverive të BE-së është më e mirë. Të dyja palët kanë kontribuar për këtë. E madje pati edhe efektin e një simboli të unanimitetit fakti që: si May edhe kancelarja Angela Merkel të premten kishin ardhur të veshura me xhaketa të bardha në samit.

Kancelarja  ndërkohë nuk le t'i shpëtojë rasti, që t'i mbështesë krahët Mayit kundrejt kundërshtarëve të saj. Në partinë koservatore ka një sërë përkrahësish të Brexit pa marrëveshje, sepse ata nuk janë të gatshëm për asnjë lëshim ndaj Brukselit. Ndaj May ka nevojë urgjente për sukses, për t'u bërë ballë atyre dhe që të mund të dëshmojë diçka në opinionin britanik. "Unë dua qartësisht një marrëveshje dhe jo ndonjë zgjidhje të paparashikueshme", tha Merkel. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u mundua, që të kontribuojë për një atmosferë të mirë: ai tha, se njoftimet për bisedime të mbetura në vend numëro janë të ekzagjeruara. May nga ana e saj theksoi, se vendi i saj do "t'u përmbahet detyrimeve të veta", pa e preçizuar, se çfarë kupton ajo me këtë.

Londra më në fund duhet të thotë, se çfarë do

Por pikërisht ky është problemi. Të 27 vendet e tjera të BE-së ende presin premtimet konkrete nga Londra. Eshtë fjala për tri çështje: të ashtuquajturat "përllogaritjet e daljes" për të cilat përfytyrimet dallojnë nga rreth 20 miliardë Euro (May) deri në 60 miliardë Euro e madje edhe 100 miliardë Euro nga ana e BE-së, ndërsa britanikët e vijës së fortë si ministri i Jashtëm Boris Johnson kanë deklaruar, se nuk i kemi borxh anjë penny BE-së. May tha tani në Bruksel, se Britania e Madhe do ta shlyejë pagesën e parë vetëm pasi të përfundojnë bisedimet "si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për partneritetin tonë të ardhshëm". Janë të paqarta gjithashtu se çfarë regjimi kufitar do të mbizotërojë në të ardhmen mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës si anëtare e BE-së - dhe pika e tretë është - të drejtat e të huajve nga BE-ja në Britaninë e Madhe pas Brexit. Lidhur me këtë megjithatë zgjidhja duket e afërt, pasi janë të prekur më shumë se tre milionë vetë, e kjo është një çështje e rëndësishme.

Meqënëse kësaj radhe nuk u dha drita e gjelbër për fazën e dytë të bisedimeve, BE-ja shpreson që kjo mund të negociohet në dhjetor.

Pavarësisht se si do të vazhdojnë negociatat me britanikët, BE-ja ka edhe pa këtë mjaft probleme të tjera. Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker, tha në Bruksel, se BE-ja në sfondin "e gjendjes së përgjithshme konfliktuale nuk mund të vazhdojë kështu edhe më tej". BE-ja duke përfshirë edhe Eurozonën duhe të bëhet më "efikase" dhe më "e fortë në vendimmarrje". Se çfarë kihet parasysh me këtë, Merkel e shpjegoi: që Europa duhet ta marrë vet në dorë fatin e saj. Të njëjtën gjë ka thënë Merkel edhe pas fitores së Donald Trump-it në SHBA.

Hollësitë për këtë janë ende të vakëta. Flamurtar ka dalë me tezat e tij presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili do ta forcojë Eurozonën. Për këtë ai në radhë të parë është i varur prej mbështetjes nga Gjermania. problemi është, se ndonëse edhe në të ardhmen ai do të ketë të bëjë me një qeveri Merkel, që i mbështet me maturi reformat, por që kancelarja së shpejti do të qeverisë me një koalicion të ri qeveritar. Pikërisht liberal-demokratët (FDP)si partner i mundshëm në koalicion i shohin me shumë sy kritik përfytyrimet e Macron-it për reforma.

Merkel, që tani u përfaqësua në Bruksel me qeverinë e vjetër, premtoi, se do t'i involvojë partnerët e mundshëm të koalicionit qysh tani në politikën e Europës. Vendimet e këtij samiti janë aq "të përgjithshme, sa askush nuk do të dalë kundër". Por për reformat e rëndësishme Merkel do ta shmangë që FDP-ja apo ekologjistët të ndihen të anashkaluar, përpara se të dyja këto parti të kenë rastin që të influencojnë direkt në politikën e Europës./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat