Slloveni: Një fushatë presidenciale e mërzitshme që të bën mirë

Evropë

Slloveni: Një fushatë presidenciale e mërzitshme që të bën mirë

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 11:17
Borut Pahor

Ai asfalton rrugët në kominoshe ngjyrë portokalli, udhëton me djalin nëpër Slloveni dhe nxin në diell trupin atletik në bregun e Piranit, me tatuazh delfini në krah. Në të gjitha këto poza mund ta shohësh presidentin slloven, Borut Pahor, ai është një yll i Instagramit. Më shumë se 42.000 ndjekës në një vend me 2 milionë banorë. Madje edhe gazeta britanike Guardian vuri re se Donald Trump mund të sundojë Twitterin, por në Instagram ka konkurrencë nga kryeministri slloven.

Edhe në zgjedhjet presidenciale të dielën e ardhshme, socialdemokrati Pahor nuk duket se ka rivalë të fortë. Sipas sondazheve bëhet fjalë vetëm nëse ai fiton që në raundin e parë apo të dytë. Duket se forca e tij si politikan nuk qëndron edhe aq tek profilizimi i tij politik, se sa tek fakti që në vendin e  vogël ballkanik ka pak tema që ndezin gjakrat e njerëzve, përjashto këtu grindjen me Kroacinë për vijën kufitare në Piran.

Image

Vendi shembullor në një rajon krize 

Zhvillimi ekonomik i Sllovenisë është pozitiv, para pak kohësh prognoza e rritjes ekonomike u korrigjua pozitivisht nga 3,9% në 4,4% në vit. Sa i përket digjitalizimit, Sllovenia zë vendin e dytë në Europë, pas Finlandës, zgjerimi i rrjetit rrugor modern është gati i përfunduar, e tani po rikonstruktohet në stil të gjerë hekurudha sllovene.

Shembullore Sllovenia ka qenë edhe më parë, që para shpërthimit të krizës në vitin 2010. Edhe në kohën e Jugosllavisë, ky vend konsiderohej si republika më e zhvilluar. Sllovenia gati e pagoditur nga luftërat e Jugosllavisë, dhe ia doli mbanë si shtet pasues socialist i Jugosllavisë të kalojë me sukses në ekonominë e tregut.

Pas anëtarësimit në BE (2004), ekonomia sllovene përjetoi një bum ekonomik, industria e ndërtimit lulëzoi, bankat mund të merrnin kredi të leverdisshme në tregjet botërore të kapitalit. „Sllovenët jetuan shumë me kredi në kohën pas anëtarësimit në BE. Ata u futën thellë në borxhe, duke financuar kështu bumin e ndërtimeve, por kjo u ndërpre pas krizës financiare", kujton Hermine Vidovic nga Instituti  Vjenez për Ekonominë e Krahasuar Botërore (WIIW).

Problem tjetër përbënin lidhjet e ngushta politike me strukturat ekonomike në vend. Në dallim nga ish-vendet socialiste lindore, në Slloveni nuk pati një valë të gjerë privatizimi në ekonomi. Shumë firma të mëdha dhe banka ishin në pronësi të shtetit. Kjo lë dyshime se „vendime të caktuara për kredi shpesh u morën për arsye politike e jo ekonomike", thotë Vidovic.

Image

Masa të rrepta kursimi

Kur në vitin 2010 për shkak të krizës u shtrenjtua paraja në tregjet e kapitalit, ekonomia sllovene u trondit thellë. Për një kohë madje u duk se Sllovenia do të kishte nevojë për ombrellën financiare të shpëtimit të BE, (ESM) në kohën e krizës. Por Sllovenia e mori vetë në dorë shpëtimin e ekonomisë dhe sektorit financiar. Pasoja - kursime të forta për njerëzit. „Nga njëra anë u bënë shkurtime në buxhet, nga ana tjetër u shkurtuan rrogat e administratës e u ndërmorën një sërë reformash e masash kursimi", thekson Vidovic. Nga ana tjetër, shteti slloven pompoi miliarda në sistemin financiar të vendit, 1,55 miliardë euro vetëm në bankën më të rëndësishme, "Nova Ljubljanska banka" (NLB). Se nga erdhën miliardat, qeveria sllovene nuk e ka bërë të ditur.

Në fund të vitit 2011, qeveria u dorëhoq pas heqjes së votëbesimit. Kryeministri, tek i cili nuk kishte besim kush, se do t'ia dilte mbanë quhej, Borut Pahor. Në zgjedhjet e mëvonshme parlamentare ai humbi dy të tretat e vendeve në parlament. Por  buzagazin Pahor kjo nuk e dëmtoi. Vetëm një vit më vonë, ai fitoi zgjedhjet presidenciale.

Nga kjo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra në Slloveni. Kriza duket e tejkaluar, vendi merr sërish lëvdata „si nxënës shembullor". Vidovic thekson në këtë kontekst rëndësinë e privatizimeve. „Për rimëkëmbjen ekonomike ishte e rëndësishme që në ujdi me BE, u kryen 15 privatizime të rëndësishme firmash, bankash e objektesh infrastrukturore". Rezultatet duken: Tani eksportet sllovene shënojnë rritje, papunësia është ulur, në 2017-n ajo kap shifrën 7,5%, një përqind më pak se vitin 2016. Prej dy vjetësh po rriten edhe rrogat.

Duket se në këtë sfond përshtatet edhe një president i moskokëçarës, që gati çdo ditë poston foto të tij në Instagram dhe që bën një figurë të mirë në vizitat shtetërore./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat