Policia konfiskon vepra arti me vlerë miliona euro

Evropë

Policia konfiskon vepra arti me vlerë miliona euro

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 11:57
itali

Policia ka konfiskuar disa vepra arti me vlerën e miliona eurove nga një koleksionist i veprave të artit, i akuzuar për kontrabandën e mijëra veprave të vjedhura me familjen e një kreu të mafias siçiliane.

Giovanni Franco Becchina, 78 vjeç, iu hoq e drejta e pronësisë së disa bizneseve të tij, përfshirë tokën, llogarinë bankare, makinën dhe një pjesë të pronësisë së një kështjelle mesjetare në vendlindjen e tij,  në Castelvetrano, në Siçilinë Perëndimore, njoftoi sot policia kundër mafias.

“Është e vështirë të përcaktohet vlera e këtyre veprave të artit,  por sigurisht ato mund të arrijnë shumën e disa miliona eurove”, thanë hetuesit gjatë një deklarate për shtyp e cituar nga agjencia italiane e lajmeve “Adnkronos” me seli në Romë.

Gjithashtu, Castelvetrano është një territor që kontrollohet nga Matteo Messina Denaro, 55 vjeç i cili  ka qenë në arrati që prej vitit 1993 dhe mendohet të jetë lideri i mafies siçiliane  “Cosa Nostra”.

Sipas policisë kundër mafias, Becchina ka trafikuar veprat e artit të vjedhura, kryesisht nga rrënojat e lashta greke të Selinuntes, nëpërmjet një biznesi të mbikëqyrur si fillim nga babai i Messina Denaro, Francesco dhe më vonë nga lideri aktual i mafies.

Policia tha se lajmi ishte zbuluar nga një ish-anëtar i mafies , i cili kishte dëshmuar se Messina Denaro fshihej pas një komploti të dështuar për të vjedhur “Dancing Satyr” të Mazara del Vallo, një nga statujat më të famshme greke të Siçilisë, që më pas u gjet në det në vitin 1998.

Becchina ka punuar prej vitesh në qytetin zviceran të Bazelit si koleksionist i veprave të artit.

Ai është hetuar disa herë për trafikim të veprave të artit të vjedhura por akuzat kundër tij u rrëzuan në vitet 2000 sepse statutit të kufizimeve mbi krimet që ai pretendohej të kishte kryer i kishte kaluar afati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat