Soçi: Rusia, Turqia dhe Irani bisedojnë për konfliktin në Siri

Evropë

Soçi: Rusia, Turqia dhe Irani bisedojnë për konfliktin në Siri

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 19:50
Pamje nga takimi Putin - Erdogan në Soçi më 13 nëntor

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet javën e ardhshme në Soçi, me presidentët e Turqisë dhe Iranit, për të diskutuar për luftën disa vjeçare civile në Siri, kanë njoftuar sot përfaqësues të Kremlinit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha reporterëve se Putini, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidenti i Iranit, Hassan Rohani, do të takohen në Soçi të Detit të Zi, më 24 nëntor.

Ky do të jetë takimi i parë trepalësh dhe do të fokusohet në reduktimin e dhunës në Siri dhe për çështjet e ndërlidhura me dërgimin e ndihmave humanitare në rajon, kanë thënë zyrtarët.

Moska , Ankaraja dhe Teherani, po ashtu i sponzorizojnë bisedimet e ndara në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, ku përfshihen palë të ndryshme të luftës civile gjashtëvjeçare dhe do të fokusohen në çështjet e formimit të zonave de-eskaluese në rajonet kryesore të Sirisë.

Për Sirinë diskutohet edhe në Gjenevë, ndërsa këto bisedime sponsorizohen nga Kombet e Bashkuara dhe fokusohen në gjetjen e zgjidhjes politike në këtë vend të përfshirë nga lufta.

Rusia dhe Irani e mbështesin presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, në këtë konflikt, ndërsa Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, i përkrahin grupet e ndryshme kryengritëse, që luftojnë kundër qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.

Nga lufta civile në Siri, janë vrarë më se 330 mijë njerëz, pastaj 1.6 milion vetë janë refugjatë, ndërsa afro 5 milionë njerëz janë zhvendosur brenda Sirisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat