“Duel polakësh”, Tusk kritikon Poloninë

Evropë

“Duel polakësh”, Tusk kritikon Poloninë

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 14:20
Donald Tusk

Qeveria polake akuzoi presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, se po sulmon Poloninë, pasi ai shprehu shqetësim për politikat e qeverisë.

“Alarm! Tensione të larta me Ukrainën, izolim brenda BE-së. Largim nga sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit, sulme ndaj sektorëve joqeveritarë dhe medieve të lira? A është kjo strategjia e partisë ‘Ligj dhe Drejtësi’ apo një plan i Kremlinit? Shumë të ngjashme për të fjetur të qetë”, shkroi Tusk në “Twitter”.

I menjëhershëm reagimi i kryeministres polake, Beata Szydlo, e cila i përket partisë qeverisëse “Ligj dhe Drejtësi”. Sipas saj, Tusk po përdor pozicionin e tij brenda BE-së për të sulmuar Poloninë.

Qeveria nacionaliste e kryeministres polake drejton vendin prej dy vitesh dhe përballjet me BE-në nuk kanë munguar. Javën e kaluar, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që kritikon ashpër politikat e partisë së kryeministres polake dhe çështjet, për të cilat Tusk akuzon Poloninë, mbështeten edhe nga vende të tjera europiane.

Por ai dhe Szydlo janë rivalë prej shumë kohësh dhe zërat, që thonë se Tusk do të kthehet në Poloni për të kërkuar presidencën, e kanë rritur tensionin. Në reagim ndaj mesazhit të tij, ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski tha se, Tusk dështoi të ishte faktor në BE dhe tani po përpiqet të kthehet në politikën polake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat