Erdogan: Turqia nuk mund të dënohet nga një gjykatë amerikane

Evropë

Erdogan: Turqia nuk mund të dënohet nga një gjykatë amerikane

Më: 2 dhjetor 2017 Në ora: 20:19
Erdogan

Turqia nuk mund të gjykohet nga ”gjykata virtuale” në SHBA, vlerësoi sot presidenti turk Erdogan, në lidhje me procesin në Nju Jork, ku ai është gjithashtu i përfshirë, i dyshuar për një aferë për anashkalim të embargos amerikane kundër Iranit.

“Vendi im nuk mundet kurrë të dënohet nga një gjykatë virtuale, e ngritur nga persona mashtrues të FETO-s”, deklaroi Recep Tayyip Erdogan gjatë një fjalimi në televizion mbajtur në Kars, në verilindje të Turqisë.

“Disa po përpiqen të gjykojnë vendin tim me gjykatat e tyre të simuluara. Mos na fyeni”, shtoi kreu i shtetit turk.

Ankaraja po përpiqet të diskreditojë procesin, potencialisht shpërthyes për Turqinë, që po zhvillohet aktualisht në Nju Jork ndaj një drejtuesi të bankës publike turke ”Halkbank”, Mehmet Hakan Atilla, i akuzuar se ka ndihmuar Teheranin t’i shmanget sanksioneve amerikane.

I arrestuar në Majami në mars 2016, manjati i floririt, turko-iraniani, Reza Zarrab është dëshmitari kyç në këtë proces dhe në ditën e dytë të dhënies së dëshmisë, deklaroi se në tetor 2012 Erdogan, në atë kohë kryeministër, kishte dhënë udhëzime në mënyrë që dy banka të tjera turke të mundeshin gjithashtu të merrnin pjesë në mashtrimin ku “Halkbank” ishte platforma për të anashkaluar sanksionet kundër Iranit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat