Apeli i Sigmar Gabrielit për një Europë ndryshe - Bota Sot
Apeli i Sigmar Gabrielit për një Europë ndryshe

Evropë

E hënë, 11 dhjetor 2017

Apeli i Sigmar Gabrielit për një Europë ndryshe

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 11:13
Macron dhe Gabriel

Ministri i Jashtëm gjerman nuk ka më durim dhe kërkon, që Europa të veprojë më fuqishëm dhe të mendojë strategjikisht e jo vetëm moralisht. Për këtë vërtetë koha nuk pret, por ka edhe disa rezerva, mendon Jens Thurau.

Analiza është e saktë: Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel skicoi para fondacionit Körber një botë jo në transformim, por të transformuar. E sjellë në një emërues të përbashkët: rendi botëror i pasluftës ka marrë fund, shekulli amerikan është histori. Kina synon për një rëndësi gjithnjë e më të madhe globale, SHBA-ja tërhiqet në egoizëm dhe nacionalizëm. E gjithmonë një vakum në politikën botërore shumë shpejt është plotësuar nga të tjerët. Një shembull i tillë në Siri është Rusia. Apo edhe Kina në Afrikë. Ndërsa Europa nuk duhet të vazhdojë kështu gjatë të ankohet vetëm moralisht për të gjitha këto "nga pozicioni anësor", por duhet t'i përkufizojë qartë interesat e veta, të mendojë në mënyrë strategjike. Me fjalë të tjera: ta ndreqë më në fund shtëpinë e vet, të thellojë integrimin europian - edhe pse kjo nuk është aspak popullore. Dhe ajo duhet të kërkojë partnerë, kudo që ata të ofrohen. E kjo jo gjithmonë - si në të kaluarën - si refleks vetëm përtej Atlantikut. E drejtë është kjo, po pikërisht këtu shtrohet pikëpytja e parë.

Rezerva numër një

A është e drejtë, sikurse thotë Gabriel, që ndryshimi në SHBA ekziston pavarësisht Donald Trumpit? Që roli i superfuqisë, i mbrojtëses së demokracisë, lirisë dhe Europës në formën e saj të vjetër vërtetë ka marrë fund një herë e përgjithmonë? A është e vërtetë, ajo që thotë Gabriel: shumë shpejt në SHBA më shumë njerëz do të kenë rrenjë afrikane ose amerikano-latine e jo më - si në historinë e deritanishme të Shteteve të Bashkuara - europiane? Por a nuk ka edhe një protestë të gjerë në SHBA kundër një presidenti egoman? Kundër arrogancës së tij dhe harrimit të botës? A nuk votuan, pavarësisht një lufte brutale elektorale, më shumë njerëz për Hillary Clintonin aspak të dëshiruar se sa për Trumpin, pikërisht për ta parandaluar këtë? Ndoshta Gabriel ia heq më herët se sa duhet vizën SHBA-së, pavarësisht se e thekson, që Uashingtoni "mbetet aleati ynë më i rëndësishëm". Ndoshta me këtë analizë shprehet më shumë padurimi, që më në fund të ketë seriozitet projekti europian e të mos pritet më gjatë.

Rezerva numër dy

E në këtë kontekst rezerva e dytë: Gabriel ka të drejtë. Europa duhet të ndërgjegjesohet për vetveten, të mbrojë vlerat e saj, t'u kushtojë vëmendje atyre, të bëhet vet e fuqishme, sepse një botë pa pole pushteti ("G-zero-botë" e duan këtë Gabriel) është kryesisht për Gjermaninë mjaft e rrezikshme. Por në këtë kontekst ai në radhë të parë e ka fjalën për bashkëpunimin me Francën. Britania e Madhe në fjalimin e tij, përmendet vetëm një herë kur bie fjala për Brexit. A nuk do të ishte më e saktë, që nisur nga Berlini dhe Parisi të kërkohej bashkimi me të gjithë europianët, pavarësisht BE-së? Me Londrën, me Jugun, edhe me europiano-lindorët, sado ireale që tingëllon kjo tani për tani? Nëse themi Europa, atëherë nënkutpojmë të gjithë. Në këtë pikë ndihet mosdëshira e Gabrieit, që tani që politika gjermane është e tërhequr ende nuk i ka dhënë një përgjigje planeve për reforma të zgjeruara të presidentit francez Macron. Ose thënë më qartrë: që kancelarja Angela Merkel ende nuk e ka bërë këtë. "Sa ka të bëjë me idenë europiane, tani rezultati është 10:0 për Francën", thërret Gabriel në sallë. Sërish padurimi.

Një fjalim promocional

Natyrisht që kemi të bëjmë këtu edhe me një fjalim në një farë mënyre promocional për veten, që ai të mund të vazhdojë të jetë ministër i Jashtëm. Deri para pak ditësh teksa zhvilloheshin bisedimet për koalicion mes CDU/CSU dhe ekologjistëve e liberalëve, dukej se karriera e Gabrielit kishte marrë fund. Ndërsa tani partia e tij, socialdemokratët, së shpejti mund të negociojnë me kancelaren dhe CDU/CSU-në për vazhdimin e qeverisjes së bashku. Ndoshta edhe më tej me një ministër Gabriel. E pra kaq shpejt mund të ndryshojnë gjërat.

Ndaj analiza e Gabrielit është e saktë dhe e mprehtë. Por nëse kjo është kështu, e gjithçka është në rrjedhë, janë të mundshme edhe përmirësime të papritura - në SHBA, ndoshta edhe në Britaninë e Madhe. Nuk do të ishte gabim, që kjo të merrej parasysh. Përndryshe është i saktë thelbi i kësaj analize: Europa të vihet në lëvizje, të zhvendoset nga vija anësore e të futet në mesin e betejës. Ka mjaft vlera që duhen mbrojtur më mirë me shumë arsye e me disi më pak moral./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test