Reagime shokuese, por edhe duartrokitje, ndaj vendimit të KON-it për Rusinë

Evropë

Reagime shokuese, por edhe duartrokitje, ndaj vendimit të KON-it për Rusinë

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Reagimet në botë ndaj vendimit për moslejimin e Rusisë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 2018, për shkak të akuzave për doping të sponzorizuar nga shteti, diku ishin shokuese, ndërsa diku janë pritur me duartrokitje.

Autoritetet kundër dopingut e kanë mirëpritur këtë vendim të djeshëm nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (KON), si një kthesë e rëndësishme në luftën kundër dopingut, e cila do të ketë ndikim të madh në dekurajimin për përdorim ilegal të drogës.

“Atletët e pastër e kanë arrritur një triumf të rëndësishëm”, tha Travis Tygart, shef i Agjencisë amerikane kundër dopingut, dhe kritik udhëheqës i Rusisë, i cili e kishte akuzuar Moskën për “rrëmbim” të Lojërave Olimpike në Soçi, në vitin 2014.

Komiteti Olimpik i Shteteve të Bashkuara e ka përshëndetur atë që e ka cilësuar si “vendim të fuqishëm dhe parimor” të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Hetuesi kanadez, Richard McLaren, i cili ishte autor i dy raporteve madhore vitin e kaluar, ku ishin zbuluar skemat shtetërore ruse për t’i ndihmuar sportistët rusë për të përdorë drogë dhe për ta fshehur këtë, e ka uruar KON-in për këtë vendim dhe theksoi se “ne duhet ta ndryshojmë kulturën e sportit nga mentaliteti i fitores me çdo kusht, në atë që e mbështet garën korrekte”.

Derisa autoritetet ruse janë shprehur të shokuar dhe të tmerruar me këtë vendim, ata nuk kanë paralajmëruar hakmarrje në formë të bojkotimit të olimpiadës, që mendohej se ishte propozuar nga disa ligjvënës rusë.

Disa zyrtarë rusë ishin të kënaqur me vendimin e KON-it, që sportistët rusë, që dëshmojnë se nuk kanë përdorë drogë, do të mund të marrin pjesë në Lojërat Dimërore Olimpike në Piongçang të Koresë Jugore, në shkurt të vitit të ardhshëm.

Por, presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë, Aleksandr Zhukov, tha se “ndëshkimi i të pafajshmit është i padrejtë dhe jomoral”.

“Kjo në tërësi është kundër parimeve bazike olimpike”, është cituar Zhukov nga agjencia ruse e lajmeve R-sport.

Megjithatë, ai e ka përshëndetur vendimin e KON-it për t’i lejuar sportistët e pastër të marrin pjesë si “sportistë olimpikë nga Rusia”.

KON-i tha se disa sportistë të pastër rusë do të lejohen të garojnë “nën kushte të ashpra”, që do të thotë se ata duhet të jenë të pastër nga përdorimi i drogës në të kaluarën, duhet t’i kalojnë testet për drogë dhe të bartin uniformë neutrale.

“Manipulim sistematik”

Bordi ekzekutiv i KON-it e mori vendimin për moslejimin e ekipit të Rusisë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2018, pas shqyrtimit të rekomandimeve dhe gjetjeve të një komisioni, i udhëhequr nga ish-presidenti i Zvicrës, Samule Schmid, i cili ka zhvilluar hetime për akuzat për sponzorizim shtetëror të dopingut në Rusi.

KON-i tha se raporti i zotit Schmid ka komnfirmuar “manipulimin sistematik të rregullave dhe sistemit anti-doping në Rusi”.

Presidenti i KON-it, Thomas Bach, tha se masat ndëshkuese kundër Rusisë janë bërë për shkak të “një sulmi të paprecedent kundër integritetit të Lojërave Olimpike dhe sportit”.

Por, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në rrjetin Facebookka shkruar se Rusia do të “mbijetojë”.

“Ne asnjëherë nuk do të rrëzohemi”, ka shkruar Zakharova dhe ka shpjeguar se kjo nuk ka ndodhur as “nga lufta botërore, as nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, e as nga sanksionet”.

Presidenti, Vladimir Putin, dhe zyrtarët e tjerë rusë, i kanë hedhur poshtë akuzat për çfarëdo përfshirjeje shtetërore në rastet e dopingut./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat