BE-ja planifikon Fondin Monetar Evropian deri në vitin 2019 - Bota Sot
BE-ja planifikon Fondin Monetar Evropian deri në vitin 2019

Evropë

E hënë, 18 dhjetor 2017

BE-ja planifikon Fondin Monetar Evropian deri në vitin 2019

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 09:51
Foto ilustrim

BE-ja do të krijojë një Fond Monetar Evropian sipas modelit të FMN-së si dhe një post të ri.

Plani kohor për ristrukturimin e gjerë të Eurozonës është gati: deri në mesin e vitit 2019, Komisioni i BE-së synon të krijojë një Fond Monetar Evropian dhe postin e Ministrit të Ekonomisë dhe të Financave.

Ministri i ri evropian i Çështjeve Ekonomike dhe Financave duhet të jenë në të njëjtën kohë nënkryetar i Komisionit si dhe shefi i Eurogrupit, njoftoi Komisioni i BE-së në Bruksel. Komisioni shpreson se kjo do të sjellë një bashkim të përgjegjësive dhe të kompetencave. "Pas viteve të krizës, tani është koha për të marrë të ardhmen e Evropës në duart tona", tha Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker. Qëllimi është një bashkim ekonomik dhe monetar "më i bashkuar, efikas dhe demokratik". Gjendja e mirë ekonomike e bën të mundur këtë, theksoi Juncker. "Nuk ka kohë më të mirë për të rregulluar çatinë se kur ndriçon dielli ".

Propozime të mëtejshme të Komisionit parashikojnë krijimin e "instrumenteve të reja buxhetore" për të ndihmuar shtetet anëtare që të zbatojnë reformat dhe të hapin rrugën për vendet jo anëtare të monedhës së përbashkët euros. Në të njëjtën kohë, Brukseli dëshiron që ta shndërrojë në ligj të BE-së Paktin Fiskal Evropian mbi disiplinën buxhetore, i cili deri tani bazohet vetëm në një traktat ndërqeveritar.

Spiranca e fundit e shpëtimit për bankat

Si model për Fondin Monetar Evropian është e qartë që shërben Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili ka luajtur një rol qendror në shpëtimin e vendeve të krizës në Evropë. Si bazë do të shërbejë fondi i shpëtimit të euros ESM. Fondi Monetar i BE-së duhet të ndërhyjë si mundësia e fundit, nëse fondet ekzistuese për përmirësimin e rregullt të gjendjes së bankave me probleme nuk janë më të mjaftueshme.

Planet e Komisionit për reformën e Eurozonës janë kontributi i tij për samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së në fund të javës së ardhshme, dhe bazohen në një fjalim të Junckerit në shtator. Për zbatimin e këtij plani Brukselit i mbetet rreth një vit, sepse nga fundi i vitit të ardhshëm fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet evropiane në fillim të verës së vitit 2019. Gjatë kësaj kohe, vështirë se parlamentin mund ta kalojë ndonjë projekt. Një problem tjetër është se formimi i qeverisë në Gjermani po zvarritet./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test