Vizita e Johnsonit në Iran, do të takohet edhe me presidentin Rouhani

Evropë

Vizita e Johnsonit në Iran, do të takohet edhe me presidentin Rouhani

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 11:47
Boris Johnson pritet të takohet me presidentin e Iranit, Hassan Rouhani

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson pritet të takohet me presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, në ditën e dytë të bisedimeve të tij në Republikën Islamike.

Ai pritet të ushtrojë presion për lirimin e Nazanin Zaghari-Ratcliffe, që mbahet në burg që prej prillit të vitit 2016 pas akuzave për spiunazh, të cilat ajo i mohon. Ajo përballet edhe me një dalje të mundshme në gjyq më vonë, për akuza të reja.

Të shtunën, Johnson nxiti homologun e tij iranian për të liruar Zaghari-Ratcliffe, por edhe persona të tjerë me dyshtetësi, mbi baza humanitare.

Richard Ratcliffe, që ka bërë prej kohësh fushatë për lirimin e bashkëshortes së tij, tha se “shpresojmë që ai (Johnson) të jetë bindës dhe i hijshëm, si dhe të krijojë një marrëdhënie të mirë”.

Gjatë dy orë bisedimesh ditën e djeshme, Johnson dhe Mohammed Javad Zarif diskutuan gjithashtu “detyrimet e të gjitha palëve për të implementuar marrëveshjen bërthamore”, sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbajtur qëndrimin e tij në lidhje me marrëveshjen bërthamore, të nënshkruar në vitin 2015, duke kërcënuar se nuk do ta respektojë atë. Por vende të tjera, përfshi Britaninë e Madhe, vazhdojnë ta mbështesin atë.

Në tetor, kur Trump kërcënoi se do të tërhiqej nga marrëveshja, Britania, Franca dhe Gjermania thanë se “ishte në interesin tonë të përbashkët të sigurisë kombëtare” që marrëveshja të vijohej.

Zaghari-Ratcliffe u arrestua pas një vizite për të parë prindërit e saj, së bashku me të bijën foshnje, Gabriella. Pas arrestimit, pasaporta e vajzës së saj u konfiskua dhe përgjatë 20 muajve të fundit, 3-vjeçarja ka jetuar me gjyshërit nga e ëma në Iran.

Irani nuk e njeh dyshtetësinë e Zaghari-Ratcliffe dhe nuk i lejon përfaqësuesit britanikë ta takojnë atë në burg. Rasti në fjalë u komplikua edhe më tej, kur Johnson gabimisht i tha një Komiteti parlamentar në nëntor se, Zaghari-Ratcliffe ishte në Iran për të trajnuar gazetarët.

Sekretari i Jashtëm britanik kërkoi më pas falje në Dhomën e Deputetëve, duke tërhequr “çdo sugjerim se ajo ndodhej atje për çështje profesionale”. Por, ajo tashmë përballet me akuza të reja të përhapjes së propagandës, gjë që do të bënte t’i dyfishohej dënimi i marrë.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes Britanisë dhe Iranit kanë qenë të vështira prej kohësh. Edhe vizita e Johnsonit atje është e treta nga një Sekretar i Jashtëm britanik në 14 vitet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat