Ministri gjerman: Fëmijët myslimanë duhet të mësojnë për Holokaustin

Evropë

Ministri gjerman: Fëmijët myslimanë duhet të mësojnë për Holokaustin

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 19:46
Kampi i përqendrimit në Aushvic

Ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Mass, tha se “është urgjentisht e nevojshme” që fëmijët e azilkërkuesve myslimanë të mësojnë për vrasjet masive të hebrenjve gjatë regjimit nazist.

Mass, në një editorial në revistën gjermane Spiegel, tha se shumë fëmijë nga vendet e Lindjes së Mesme “nuk kanë pasur mundësi të mësojnë për historinë e Gjermanisë”.

“Përkundrazi, ata shpesh vijnë nga vende ku ata që janë në pushtet me qëllim nxisin urrejtje kundër hebrenjve dhe Izraelit, ndërsa anti-semitizmi është bërë një normë e pranuar kulturore ", tha Mass.

Ai shtoi se mësimi për Holokaustin duhet të bëhet pjesë e integrimit të fëmijëve.

Grupet arabe dhe palestineze në Gjermani kanë protestuar ditëve të fundit kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit. Në këto tubime, pjesëmarrësit kanë thirrur slogane anti-semitike dhe kanë djegur flamuj izraelitë.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha të premten se të gjithë gjermanët duhet të luftojnë anti-semitizmin dhe të njohin përgjegjësinë e tyre historike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat