Mali i Zi planifikon tender për eksplorimin e naftës dhe gazit në det

Evropë

Mali i Zi planifikon tender për eksplorimin e naftës dhe gazit në det

Më: 8 janar 2018 Në ora: 21:33
Ilustrim

Autoritetet e Malit të Zi paralajmëruan sot se do të hapin tenderin e ri për hulumtimin e naftës dhe gazit në det.

Ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekuliq, tha se tenderi pritet të hapet vitin e ardhshëm dhe synon arritjen e marrëveshjeve për kërkim dhe prodhim të hidrokarbureve.  

“Plani ynë është që të prezantojmë sa më shumë koncesionerë të mundshëm në territorin tonë, në det të hapur, por ky proces duhet të jetë ciklik”, tha Sekuliq për agjencinë e lajmeve Mina.

Sipas saj, pas përfundimit të një procesi të tenderit në vitin 2014, është planifikuar një tjetër, i cili do të realizohet në vitin e ardhshëm.

“Procesi i eksplorimit të naftës dhe gazit në det shkon në përputhje me programin e punës, i cili është pjesë përbërëse e kontratës për eksplorimin dhe prodhimin e hidrokarbureve. Kompanitë Eni dhe Novatek kanë përfunduar një elaborat mbi vlerësimin e ndikimit mjedisor për hulumtimet sizmike për të cilat janë mbajtur dëgjime publike në periudhën e kaluar”, tha Sekuliq.

Ndërmarrja greke Energean po punon me dinamikën e parashikuar të punimeve dhe aktualisht është në fazën e një vlerësimi të ndikimit në mjedis për kërkimet sizmike 3D.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat