SPD vendos sot për koalicionin me Merkelin

Evropë

SPD vendos sot për koalicionin me Merkelin

Më: 21 janar 2018 Në ora: 10:38
Kancelarja gjerman, Angela Merkel, foto nga arkivi

Social Demokratët e qendrës së majtë (SPD) në Gjermani, do të votojnë sot nëse do të ndjekin një marrëveshje koalicioni për ndarjen e pushtetit me Unionin Kristian Demokrat (CDU) të kancelares Angela Merkel.

Anëtarët e lartë të SPD-së kanë thënë më 20 janar, pak para mbajtjes së kongresit special në qytetin perëndimor Bon, se janë të bindur që partia do të miratojë nisjen e bisedimeve zyrtare me CDU-në.

Liderët gjermanë janë duke tentuar të krijojnë një marrëveshje, e cila do të parandalonte shtetin nga trazirat e mundshme politike, apo mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Në rast se SPD do të votojë kundër krijimit të koalicionit, Merkel duhet të udhëheqë një qeveri jostabile, ose të kërkojë zgjedhje të reja.

Lideri I Unionit Kristian Social, Horst Seehofer, ka thënë se kundërshtimi i SPD-së do të ishte “katastrofë politike” për Gjermaninë.

Gjermania është përballur me pasiguri politike prej zgjedhjeve të përgjithshme që janë mbajtur në shtator të vitit të kaluar.

Në këto zgjedhje ka pasur ulje të përkrahjes për partitë kryesore në krahasim me partinë e ekstremit të djathtë AfD, që sipas kritikëve ka qenë rezultat i politikave të Merkelit për refugjatët.

Pas humbjes së madhe në zgjedhje, lideri i SPD-së, Martin Schulz, ka premtuar se kjo parti do të jetë në opozitë, mirëpo më pas kërkoi që të rikonsiderohet propozimi i kancelares Merkel për të ashtuquajturin “koalicion të madh”, në përpjekje për t’iu shmangur paqëndrueshmërisë politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat