Merkel: Përfshirja e aksionerit kinez tek Daimler nuk përbën shkelje

Evropë

Merkel: Përfshirja e aksionerit kinez tek Daimler nuk përbën shkelje

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 19:00
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi sot se nuk sheh shkelje në hyrjen e një miliarderi kinez në kapitalin e gjigantit të makinave Daimler, ndërkohë që shqetësimi në Evropë përballë ambicieve të Pekinit është rritur.

“Në pamje të parë nuk shikojmë shkelje këtu. Ne kemi pasur investitorë kuvajtjanë tek Daimler”, theksoi Merkel për shtypin në reagim të njoftimit të papritur se grupi industrial “Geely”, i drejtuar nga miliarderi kinez, Li Shufu, ishte bërë aksioneri kryesor i prodhuesit të Mercedes.

“Ne jemi të hapur për partnerë tregtarë. Për ne e rëndësishme është të kemi një industri të qëndrueshme automobilësh në Gjermani, ky është objektivi ynë strategjik politik”, nënvizoi kancelarja.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries u tregua mosbesuese duke thekuar se mbërritja e “Geely” tek “Daimler” nuk duhet të ishte një portë hyrjeje për t’i shërbyer politikës industriale të shteteve të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat