Angela Merkel shton shpejtësinë

Evropë

Angela Merkel shton shpejtësinë

Më: 6 mars 2018 Në ora: 15:03
Angela Merkel

Pas "po"-së së anëtarëve të SPD-së, Angela Merkeli do të fillojë pa humbur kohë të qeverisë. Në 14 mars ajo pritet të zgjidhet kancelare. Por partia socialdemokrate ende nuk e ka hartuar listën e anëtarëve të qeverisë.

Deklarata e Angela Merkelit të hënën në selinë partiake të CDU-së ishte e shkurtër. Por ajo dukej e lehtësuar, që zgjedhja e saj kancelare tani nuk ka më pengesa. Rezultati i votës së anëtarëve të partisë socialdemokrate është një "bazë shumë, shumë e mirë" për punën e përbashkët qeveritare, theksoi Merkeli, e cila së shpejti do të ketë sërish mbështetjen e një shumice të qendrueshme në Bundestag. Për këtë ajo punoi për gati gjashtë muaj me radhë.

Në muajt e fundit, si kancelare në detyrë Angela Merkeli ishte vetëm pjesërisht e lirë të vepronte, njësoj si i gjithë kabineti i saj. Tani ajo ngul këmbë që qeveria e re të nisë me shpejtësi nga puna. "Do të jetë e rëndësishme që si qeveri ta nisim me shpejtësi edhe punën", tha ajo. Në fund të fundit, marrëveshja për koalicionin qeveritar është një "libër plot me porosi dhe detyra", të cilat duhet të vihen në jetë, tha Merkeli.

Steinmeieri propozon Merkelin për kancelare

"Për vendin tonë është mirë që kjo fazë pasigurie dhe pasigurimi kaloi", theksoi Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier pas "Po"-së së anëtarëve të SPD-së. Siç e parashikon kushtetuta, ai tani i propozoi Bundestagut që ta zgjedhë kancelare Angela Merkelin. Zgjedhja, e cila kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat, është planifikuar për në 14 mars. Merkeli ka përvojë me këtë procedurë: në tri zgjedhjet e saj për kancelare (në 2005, 2009 dhe 2013) ajo e arriti që në raundin e parë shumicën absolute të votave. Kështu pritet të ecë puna edhe këtë herë: CDU, CSU dhe SPD kanë së bashku në Bundestag 399 nga gjithsej 709 mandate.

Të inkuadrohen kritikët e koalicionit të madh

Edhe tek SPD përgjithësisht ishin të lehtësuar që anëtarët dhanë dritë të gjelbër për koalicionin e madh qeveritar. Në ditët e fundit, në shumë forume diskutimi në të gjithë vendin, kundërshtarët e koalicionit të madh e patën shprehur me zë të lartë skepticizmin e tyre. Kështu që kryesia e partisë ishte nervoze, kur po numëroheshin votat e anëtarëve të partisë. Në fund, 66 përqind votuan për "po". Tani kërkohet që të bashkohen të dyja kampet, pra mbështetësit dhe kritikët e koalicionit të madh, tha sekretari i përgjithshëm i SPD-së Lars Klingbeil. Idetë e kritikëve, të cilët drejtohen nga kryetari i forumit rinor të partisë, Kevin Kühnert, nuk duhet të fshihen. "Kemi nevojë për idetë e të rinjve në partinë tonë, kemi nevojë për idetë e Kevin Kühnert, të të tjerëve", deklaroi Klingbeil-i.

Me votën pozitive të anëtarëve të SPD-së u eleminua një pengesë e rëndësishme në rrugën për formimin e qeverisë. Por kabineti ende nuk është formuar. SPD ende po debaton kë të dërgojë në kabinet. Për gjashtë postet e ministrave janë parashikuar tri gra dhe tri burra, kjo ishte e gjitha që u tha, midis tyre do të jenë ministra me përvojë dhe fytyra të reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat