Tensionet në kulm/ Turqia thirrje të fortë presidentit grek: Përmbahu…

Evropë

Tensionet në kulm/ Turqia thirrje të fortë presidentit grek: Përmbahu…

Më: 9 mars 2018 Në ora: 09:54
Ilustrim

Turqia dhe Greqia nuk po gjejnë dot mënyrën për të jetuar në paqe të plotë, me përplasje të vazhdueshme diplomatike dhe ushtarake.

Tensionet politike dhe ushtarake midis Greqisë dhe Turqisë janë rritur në muajt e fundit, pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për rinegociatat e kufijve mes të dy vendeve dhe një anije patrullimi turke goditi një anije greke bregdetare në Egje.

Turqia gjithashtu ka arrestuar dy ushtarë grekë mbi akuzat e spiunazhit, pasi kaluan kufirin e saj. Një gjykatë turke refuzoi lirimin e tyre të hënën, edhe pas kërkesave të zyrtarëve më të lartë grekë.

Greqia gjithashtu nuk i ka dorëzuar ushtarët turq të dyshuar për përfshirje në grushtin e dështuar të korrikut 2016, duke refuzuar t’i ekstradojë në Turqi. Por në Greqi, zërat kundër Turqisë janë rritur me arrestimin e dy ushtarëve grekë, të cilët protestuesit i kanë quajtur bij të të gjithë Greqisë.

Revoltat kanë rezultuar me djegien e flamurit turk në Athinë, çka ka tensionuar edhe më tej situatën, me zyrtarë turq që raportohet të jenë shprehur se janë gati të vdesin për flamurin.

Ministria e Jashtme turke kërkoi nga autoritetet greke që të veprojnë kundër protestuesve të së djathtës ekstreme, të cilët kanë djegur flamurin turk në një tubim të organizuar nga “Agimi i Artë” në Athinë, ku bëhej thirrje për dy ushtarët e arrestuar javën e kaluar pasi aksidentalisht, siç ka thënë pala greke, kanë kaluar kufirin e Turqisë, ndërsa patrullonin në verilindje, në Evros.

Në njoftimin e ministrisë turke thuhet se, “Ne dënojmë me forcë djegien e flamurit tonë gjatë një tubimi kundër Turqisë të organizuar nga një parti politike raciste në Athinë më 5 mars. Ne kërkojmë që autoritetet greke të arrestojnë keqbërësit, të cilët kanë kryer këtë veprim të tmerrshëm kundër flamurit tonë dhe t’i çojnë ata para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, kritikoi edhe deklaratat lidhur me Turqinë dhe integritetin e saj territorial nga Presidenti grek Prokopios Pavlopulos.

“Ne ftojmë Presidentin Pavlopulos të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë tanë, si dhe të përmbahet nga një retorikë, e cila nuk është e përshtatshme për pozitën e tij dhe që mund të shkaktojë tensione të panevojshme”, tha Aksoy. Shtypi grek njoftoi se Pavlopulos ka thënë: “Ne nuk mund të kemi territorin që duhet të kishim historikisht … Nëse historia na detyron, ne do të bëjmë atë që kanë bërë paraardhësit tanë”.

Deklarata e Presidentit grek është bërë gjatë një ceremonie ku mori titullin “Qytetar Nderi” në Pydna-Kolindros në Pieria, veriu i Greqisë. Në një thirrje drejtuar Turqisë në këtë kohë tensionesh, për të respektuar obligimet e saj ndërkombëtare, Pavlopoulos kujtoi gjithashtu se “Greqia ka një zë dhe qëndrim në Bashkimin Europian”.

Ai shtoi se dëshiron që vendi të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshirë Turqinë dhe mbështet ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në BE, nëse Ankaraja respekton “totalisht lidhjet ndërkombëtare dhe europiane … dhe veçanërisht Traktatin e Lozanës dhe Ligjin e Detit”.

Pavlopoulos po u referohej thirrjeve të fundit nga Ankaraja për një “përditësim” të traktatit që përkufizon kufijtë mes Greqisë dhe Turqisë, por edhe përpjekjeve për të parandaluar eksplorimin e hidrokarbureve në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat