Koment: Polonia dhe antisemitizmi

Evropë

Koment: Polonia dhe antisemitizmi

Më: 10 mars 2018 Në ora: 10:07
Andrzej Duda

Presidenti polak Duda kërkon falje për fushatën kundër hebrenjve të marsit 1968. Një gjest i rëndësishëm, që duhet të qe bërë prej kohësh, mendon Rosalia Romaniec.

E pranoj, unë u habita nga lutja për faljen, të cilën Presidenti polak Andrzej Duda ua drejtoi hebrenjve, të cilët u detyruan ta braktisin Poloninë në vitin 1968. Ky gjest nuk përshtatet me retorikën aktuale nga Varshava. Nuk përshtatet me ligjin fatkeq për Holokaustin, të cilin Duda e nënshkroi vetë. Nuk përshtatet me fjalët e kryeministrit Morawiecki, i cili foli për "doras hebrenj". Vetëm pak ditë më parë ai e refuzoi përgjegjësinë për fushatën e persekutimit kundër hebrenjve të vitit 1968, duke tërhequr vëmendjen se atëherë nuk ka ekzistuar Polonia, por një regjim komunist. Ah, kështu qenka puna! As dua ta mendoj se ku do të çonte po ta ndiqnin edhe shtete të tjera këtë logjikë të menduari.

Kërkim faljeje me vonesë

Përballë historisë së mëparshme nga radhët e qeverisë polake, lutja e Dudas për falje duket si një përpjekje për të kufizuar dëmin. "Ju lutem na falni" - iu drejtua ai viktimave të marsit 1968 - "Faleni Republikën dhe polakët, Poloninë e asaj kohe." Më në fund!

Atëherë, në vitin 1968 edhe në Poloni pati protesta kundër regjimit komunist. Qeveria i instrumentalizoi ato shpejt për qëllimet e saj dhe foli për "elementë sionistë", të cilët thuhej se e kishin drejtuar revoltën. Opinioni u kthye në të kundërtën. Hebrenjtë që jetonin në Poloni nisën të ndiejnë shpejt se nuk qenë më të mirëpritur.

Qëndrime antisemite pati atëherë edhe në shtete të tjera të bllokut lindor, por në Poloni ecën një hap më tej: dymbëdhjetë mijë qytetarë polakë e humbën punën dhe humbën më vonë edhe pasaportat - sepse qenë hebrenj. Ishin të mbijetuarit e Holokaustit dhe fëmijët e tyre, të cilët pas luftës donin të qendronin në Poloni. Regjimi u bëri të qartë se duhet të largoheshin nga vendi. Fqinjët e tyre, miqtë, kolegët e punës nuk i mbajtën. Ata nuk u dhanë atyre ndjesinë se megjithatë qenë të sigurtë dhe duhet të qendronin. 23 vjet pas Holokaustit - një shpallje falimentimi politik dhe shoqëror.

Deri në kthesën politike të vitit 1989 kjo mbeti një temë tabu. Pas kësaj nisi me kujdes një debat publik për kapitullin e historisë së pasluftës. Tani janë nacionalistët polakë që duan ta përvetësojnë këtë temë për vete, por në vend të dialogut, ata predikojnë: "Jo më kulturë të turpit!"

Për të pasur frikë!

Fjalët pajtuese të Dudas, i cili u lutet për falje hebrenjve, duhet të qenë formuluar prej kohësh dhe drejtuar botës së jashtme janë një mesazh i rëndësishëm. Pikërisht, sepse së fundi nga Varshava u dëgjuan fjalë lënduese për viktimat e atëhershme dhe për pasardhësit e tyre. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Morawiecki, tha se marsi 1968 ishte për Poloninë "një shkak për krenari dhe jo për turp"- ai e pati fjalën për protestat studentore. Por megjithatë fjalia tingëlloi e papërshtatshme dhe provokuese.

Aladini doli

Për se bëhet fjalë me të vërtetë: në Poloni mbizotëron lufta për atë se kush ka autoritetin të interpretojë historinë e vendit. Partia PiS në qeveri e interpreton historinë polake në kuptimin e saj pseudopatriotik dhe do të përcaktojë me siguri se çfarë duhet të lexojnë brezat e ardhshëm të Polonisë në librat e historisë. Kjo në një kohë kur ata nxjerrin nga shishja një Aladin të rrezikshëm. Do të nevojiten shumë vjet, derisa ai të jetë kapur sërish.

Presidenti, i cili u drejton tani fjalët pajtuese viktimave të vitit 1968, guxon të bëjë një akt balance. Në politikën e jashtme ai synon të shpëtojë prestigjin polak dhe kërkon falje. Në politikën e brendshme nga kjo ai fiton pak, prandaj e zbut deklaratën: polakët e brezit të tij nuk duhet të kërkojnë faljet për aktet. Sepse Duda e di: po të dojë ta rizgjedhin pas dy vjetësh, atij i duhet shumica. Dhe kjo shumicë po merr aktualisht një kthesë të fortë nga e djathta, shkruan dw.

Në këtë taktikë "po, por" do të jetë interesante të shihet nëse Duda do të mbijetojë politikisht. Pavarësisht nga kjo, gjesti i tij ka që tani vlerë historike. Sepse dikur, kur Polonia ta pastrojë grumbullin e mbetjeve të shkatërruara, do të jetë e lumtur që mund t'u referohet fjalëve të Dudas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat