Rusia vendi i kontrasteve

Evropë

Rusia vendi i kontrasteve

Më: 17 mars 2018 Në ora: 08:31
Rusia në prag të zgjedhjeve presidenciale

Në prag të zgjedhjeve presidenciale Rusia paraqitet si një vend plot kontraste, ku hendeku social po bëhet më i madh. Por politika nuk kujdeset shumë për këtë problem.

Dallimi mes rajoneve të Rusisë dhe sidomos mes provincës dhe Moskës, si dhe dallimi mes të pasurve dhe të varfërve po thellohet.

Maria Katasonova, jeton në Moskë dhe punon në parlament. Metropoli rus është vendi ku shteti investon shumicën e parave. Vitet e fundit aty janë derdhur miliarda euro për restaurimin e rrugëve, banesave apo ndërtesave të tjera. Dhe kush ka një punë të mirë në Moskë shijon anën prej çokollate të Rusisë. Kush ka para në Rusi, jeton në një botë më vete, dhe të bukur. Maria bën pjesë tek përfituesit e sistemit Putin. Dhe ajo nuk është e vetme. Numri i multimilionerëve rusë u rrit në vitin 2017 me 27 për qind.

Image
Maria Katasonova mbështet presidentin Putin

Si dhe mjaft të tjerë edhe Maria Katasonova i është mirënjohëse për suksesin e saj  politikës së Vladimir Putinit. "Unë i jam mirënjohës Presidentit që kam një vend pune dhe që prindërit e mi kanë punë. Jam shumë krenare për vendin tim dhe historinë e tij. Dhe për këtë arsye falënderoj Presidentin që i ktheu Rusisë rolin udhëheqës në të gjithë botën." - thotë ajo.

Dhe si mjaft të tjerë edhe Maria Katasonova shpreson se gjërat do të mbeten si janë: "Gjashtë vitet e ardhshme, shpresoj që presidenti do t'i përfundojë të gjitha ato që planifikon të bëjë. Ai ndoshta do të veprojë me më shumë ashpërsi. Sidoqoftë, shpresoj se  do të vazhdojë punën mbi themelet që ka krijuar deri tani ".

Image
Dyqani luksoz GUM në Moskë

Dyqani luksoz GUM në Sheshin e Kuq është simbol i Rusisë së shpejtë, krenare dhe fine. Antipodit i provincës, ku përtej fasadave tërë shkëlqim interesi për zgjedhjet është i vogël dhe mosbesimi i qytetarëve ndaj shtetit  i madh. Si në periferi në Jekaterinenburgut, ku gjendja është e keqe dhe njerëzit nuk janë simpatizantë të presidentit Putin.

Daria Daar banon në një shtëpi që është në rrezik të shëmbet dhe banorëve të saj mund t'u bjerë çdo moment çatia mbi kokë. Ajo thotë se shteti i ka lënë në baltë qytetarët e tij. Dikur shtëpia ishte në pronësi të një ndërmarrjeje shtetërore, por pas mbylljes së saj, askush nuk e ndjen më veten përgjegjës për të. "Shikoni tavanin! Kudo myk. Ne i riparojmë të gjitha vetë. Madje edhe kur bllokohen kanalet, mbledhim para dhe gjejmë dikë që mund ta riparojë.

Image
Daria Daar

Autoritetet e shtetit nuk duan të dinë asgjë për ne, ata na dërgojnë sa andej këtej. U përpoqa të takohesha me kryeministrin ose kryetarin e bashkisë sonë. Më kot. Në TV, ata tregojnë vazhdimisht se si presin çdo ditë nëna ose gjyshe me shumë fëmijë. Por unë nuk munda të marr dot takim." - tregon Daria.

Kurse fqinji i saj Juri Lavigin thotë: "Unë nuk do të votoj për Putinin. Atij nuk i intereson populli. Ne po varfërohemi dhe po jetojmë gjithnjë e më keq.”/DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat