Rasti Skripal: BE i merr seriozisht akuzat kundër Moskës

Evropë

Rasti Skripal: BE i merr seriozisht akuzat kundër Moskës

Më: 19 mars 2018 Në ora: 11:49
Bruksel

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dënuan fuqishëm helmimin e një ish-agjenti rus në Britani dhe thanë se e kanë marrë "shumë seriozisht" vlerësimin e Londrës se Moska qëndron prapa sulmit.

Britania dhe aleatët e saj kanë fajësuar Moskën për sulmin kundër Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, më 4 mars, në Sallsbëri të Anglisë.

Dy viktimat mbeten në gjendje kritike për jetën.

"Bashkimi Evropian e merr seriozisht vlerësimin e Mbretërisë së Bashkuar se Federata Ruse, sipas të gjitha gjasave, është përgjegjëse", thanë përmes një deklarate 28 ministrat e Jashtëm të BE-së.

"BE-ja shpreh solidaritet të pakufizuar me Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë përpjekjet e saj për t'i sjellë përgjegjësit e këtij krimi para drejtësisë", thuhet në deklaratë.

Kremlini, në anën tjetër, përsëriti se Britania duhet të dëshmojë përfshirjen e Rusisë në helmimin e Skripalit dhe të vajzës së tij ose të kërkojë falje.

"Herët ose vonë, këto akuza të pabaza do të duhet të marrin përgjigje", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat