Dy police nga Zurich i Zvicrës e kanë filluar javën në një mënyrë të paharrueshme, kjo pasi ato ndihmuan në lindjen e një fëmije në veturë.
Policet ishin përgjigjur ndaj një thirrjeje mëngjesin e së hënës, kur panë një veturë të ndalur në mes të rrugës. Shoferi i kësaj veture doli shpejt dhe u tha atyre se gruaja e tij ishte duke lindur dhe ata ishin të vetëm e pa ndihmë mjekësore.
Pastaj të dy policet shkuan për t’i ndihmuar gruas, dhe duket se ato ishin në kohë; koka e foshnjës tashmë mund të vërehej.
Sipas komunikatës së policisë, pas pak çastesh fëmija lindi mirë, ndërsa policet e mbështollën foshnjën (vajzë) kurse pastaj arriti edhe ndihma mjekësore për ta.
Të dy prindërit e emocionuar u dërguan në spital, përderisa vajza sipas mjekëve ishte në gjendje të mirë.
Njëra nga policet tha për Blick se kjo mbetet gjëja më e ëmbël që ajo ka përjetuar për 33 vite në ushtrimin e detyrës.