Gjyqtarë në Strasburg, shtyhet afati i aplikimit

Evropë

Gjyqtarë në Strasburg, shtyhet afati i aplikimit

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:56
Gjykata Europiane e Drejtave të Njeriut

Në funksion të pranimit të një numri sa më të lartë aplikimesh për pozicionin e gjyqtarit shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, afati i aplikimit është shtyrë deri në datën 16 prill 2018.

Përmes një njoftimi për shtyp në faqen zyrtare të Kryeministrisë, inkurajohen të gjithë juristët që përmbushin kriteret që të aplikojnë.

Këshilli i Europës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ, i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Ky njoftim për aplikim bazohet në udhërrëfyesin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës CM ( 2012) 40-add, datë 29.3.2012.

Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët, nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë gjyqësorë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting-ut).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat