Fitorja e Orbanit - mjerimi i opozitës

Evropë

Fitorja e Orbanit - mjerimi i opozitës

Më: 10 prill 2018 Në ora: 11:00
Viktor Orban

Për të tretën herë radhazi Viktor Orban fitoi zgjedhjet parlamentare me dy të tretat e votave. Për këtë ka një faj të madh opozita hungareze. Tani ajo është rrënuar.

Për disa javë radhazi, opozita hungareze jetoi si në ëndërr – optimiste dhe me shpresë se do ta mundte Orbanin dhe partinë e tij, Fidesz, në zgjedhjet parlamentare. Sondazhet e instituteve hungareze kishin parashikuar vetëm një shumicë të thjeshtë për Orbanin dhe Fidesz-in dhe flisnin për një atmosferë ndryshimi në popullsi.

Por për opozitën hungareze erdhi zgjimi i hidhur. Përkundër pritshmërive, Orbani dhe Fidesz-i jo vetëm fituan, por me gjasë sërish dolën me shumicë dy të tretash. Është fitorja e tretë e radhës e Orbanit dhe, nëse rezultati paraprak nuk do të ndryshojë, fitorja e tretë me shumicë dy të tretash.

Triumfi i tij unik është njëkohësisht humbja më e hidhur e opozitës në tetë vitet e fundit. Dhe natën duke u gdhirë e hëna, kjo dukej edhe në fytyrat e protagonistëve. Në konferencat e tyre për shtyp, krerët dhe kandidatët e partive opozitare dukeshin jo vetëm thellësisht të zhgënjyer, por edhe tërësisht të çorientuar me një kombinim prej ndjenjës së fajit, kërkimit të dëshpëruar të shkaqeve dhe akuzave në adresë të Orbanit.

E përçarë, e dobët, e mundur

Ka shumë arsye për humbjen e opozitës dhe për shumicën e tyre e ka vetë fajin. Një arsye është sistemi zgjedhor që vëzhguesit e quajnë "të lirë, por të padrejtë". Ai favorizon partitë e mëdha siç është  Fidesz, sepse nga 199 kandidatë për deputetë, 106 janë të drejtpërdrejtë dhe zgjidhen me shumicë votash në një votim të vetëm. Kundër Fidesz-it, partia e vetme e madhe e Hungarisë dhe që veç kësaj është e qëndrueshme dhe ka një elektorat të disiplinuar, partitë opozitare mund të kishin shans vetëm nëse do të dilnin me kandidatë të përbashkët. Por pikërisht kjo nuk ndodhi në shumë zona elektorale. Kështu, kandidatët e Fidesz-it mundën të fitonin  edhe pse kandidatët e opozitës mblodhën më shumë vota të marra së bashku. Në Budapest, për shembull, opozita mund t'i kishte fituar të 18 zonat zgjedhore – por si përfundim arriti të merrte vetëm dymbëdhjetë. Së paku ashtu do të shmangej një fitore e sërishme e Orbanit me dy të tretat. Ky ishte në fakt edhe synimi më i vogël i përbashkët i opozitës.

Një arsye tjetër ishte se zgjedhjet e tanishme parlamentare, në një mënyrë deri tani unike në historinë postkomuniste të Hungarisë, ishin në të vërtetë një referendum – dhe konkretisht për politikën e migracionit të Orbanit. Viktor Orban e kishte reduktuar fushatën zgjedhore aq shumë rreth kësaj çështjeje, duke u prezantuar si garant kundër rrënimit të shtetit dhe kombit hungarez si pasojë e imigracionit të pakontrolluar.

Image

Të gjithë kundër imigrantëve

Opozita jo vetëm se nuk ishte në gjendje ta kundërshtonte këtë, por ajo as nuk donte.  Në Hungari ekziston një konsensus politik tek të gjitha partitë se imigracioni "i një kulture të huaj" është i padëshirueshëm. Kishte madje edhe pjesë të opozitës që e kritikonin qeverinë e Orbanit edhe për atë pak humanizëm që kishte treguar duke pranuar rreth 3 000 refugjatë, në përputhje me ligjet aktuale të azilit. Prandaj edhe shumë votues preferuan të votonin më mirë për origjinalin e parashikueshëm sesa për kopjen kaotike.

Opozita tani ka marrë rrugën e tatëpjetës. Shumica e krerëve partiakë dhe e kandidatëve kryesorë dhanë dorëheqjen, duke përfshirë edhe kreun e së djathtës Jobbik, Partinë Socialiste (MSZP) dhe LMP-në, alternativën e gjelbër liberale. Në Jobbik, për shembull, partia e djathtë ekstremiste, ka plasur që tani hapur lufta për ta drejtuar kursin nga qendra. Radikalët që janë ende të shumtë duan ta shfuqizojnë kampin e kryetarit të partisë, Gábor Vona, pas dorëheqjes së këtij. Por ka pak gjasa që Jobbik, si partia më e fortë e opozitës, të ndjekë tani sërish kursin e ekstremizmit të djathtë, meqenëse Orbani nuk lë hapësirë në të djathtë të Fidesz-it.

Image
Gabor Vona, në ditën e zgjedhjeve ende kryetar i Jobbik-ut, ndërkohë ka dhënë dorëheqjen

Opozita e majtë nuk ekziston

Një rol fatkeq ka luajtur ish-kryeministri Ferenc Gyurcsany, i cili kryesoi një qeveri socialiste-liberale nga 2004-a deri në 2009-ën. Socialist vetëm sa për emër, ai ishte përgjegjës për skandalet e shumta të korrupsionit dhe skandalet e tjera në atë kohë që bënë të mundur edhe fitoren e Orbanit me dy të tretat e votave. Partia e tij aktuale, e spektrit të majtë liberal, që quhet "Koalicioni Demokratik" (DK) është një grup i dalë nga socialistët e MSZP dhe i dha atij të paktën 5, 6 për qind. Por për shumicën e hungarezëve, "socialisti" Gyurcsany , i cili ka bërë miliona dollarë në investimet private dhe marrëveshjet e aksioneve, është një figurë "toksike". Por deri tani Gyurcsany e përjashton dorëheqjen nga politika.

Jo vetëm Gyurcsany, por vetë MSZP është një pengesë për rinovimin e kampit të majtë. Socialistët nuk e heqin dot imazhin e tyre si një parti e korruptuar dhe që për një kohë të gjatë ndiqte kursin neoliberal. Një figurë shpresëdhënëse për opozitën e  majtë mund të ishte Gergely Karacsony, i cili doli në zgjedhje si kandidat i përbashkët i socialistëve dhe partisë së vogël Parbeszed (Dialog). Karacsony gëzon popullaritet në Budapest si kryetar i bashkisë së zonës 14 dhe kryetar i partisë së majtë, ekosociale Dialog.

Pas humbjes ai tha se E majta në Hungari duhej të orientohej më shumë te baza. Këtu bënte pjesë kthimi te Hungaria e thjeshtë dhe larg politikës, te Hungaria e zonave periferike që jeton në gjendje të vështirë sociale. Partitë e majta dhe liberale opozitare i kanë injoruar shpesh këto shtresa elektorale, ndryshe nga Jobbik, për shembull, ato në shumë vende nuk kanë asnjë përfaqësues. Por shumë vëzhgues pesimistë dyshojnë se do të ketë një garë ndërmjet Fideszit të Orbanit dhe opozitës. Madje disa komentues pesimistë hungarezë, zgjedhjet parlamentare të së dielës kanë qenë zgjedhjet e fundit të lira./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat