Itali – E majta shtyn vendimin për formimin e qeverisë

Evropë

Itali – E majta shtyn vendimin për formimin e qeverisë

Më: 26 prill 2018 Në ora: 19:05
ilustrim

Partia demokratike (PD) njoftoi sot se ka shtyrë për më 3 maj vendimin për të formuar apo jo qeverinë në Itali me Lëvizjen Pesë Yjet (L5Y, antisistem) pas një raundi të ri të konsultimeve politike.

”Kemi vendosur të mbledhim kryesinë tonë kombëtare për të vendosur nëse dhe sesi do të marrim pjesë në negociata me L5Y”, tha Maurizio Martina, lideri i përkohshëm i PD-së që prej dorëheqjes së Matteo Renzi një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit, të cilat nuk mundësuan ndarjen e qartë të forcave të pranishme politike.

PD-ja, e cila qeveris Italinë prej vitit 2013, doli e dobësuar nga ky proces me rreth 19% të votave.

Martina pranoi hapa të rëndësishëm përpara nga ana e L5Y, por pa fshehur gjithsesi vështirësitë mes këtyre dy kampeve, prej kohësh në mosmarrëveshje.

”Jemi forca të ndryshme politike, me pikëpamje shumë të ndryshme”, u shpreh Martina pas një takimi me presidentin e Dhomës së Deputetëve, Roberto Fico.

Ky i fundit u ngarkua nga presidenti Sergio Mattarella të shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje qeveritare mes PD-së dhe L5Y, pas dështimit të negociatave të mëparshme mes partise antisistem dhe koalicionit të qendrës së djathtë, i cili u rendit i pari në zgjedhjet e 4 marsit me 37% të votave./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat