Koment: Turp për Bullgarinë, turp për BE

Evropë

Koment: Turp për Bullgarinë, turp për BE

Më: 2 maj 2018 Në ora: 10:01
Bullgari

Në listën e re të lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufi, Bullgaria zë vendin e 111. Rrethanat e turpshme në vend vërtet që janë të vetëshkaktuara, por BE është bashkëpërgjegjës, mendon Alexander Andreev.

Me pozicionin aktual në indeksin e Reporterëve pa Kufij, Bullgaria jo vetëm që zë vendin e fundit nga vendet e BE. Po të përjashtosh Rusinë, Bjellorusinë dhe Turqinë, Bullgaria madje mund të mburret për peizazhin mediatik më pak të lirë të të gjithë Evropës. Dhe pikërisht ky vend drejton fatet e BE. Kërkon që t'i afrojë me BE fqinjët e Ballkanit Perëndimor e t'u mësojë atyre standardet demokratike, vende të cilat në çështjet e lirisë mediatike ndodhen me kilometra përpara Bullgarisë! Ore në cilën botë po jetojmë?

Lojëra fatale politike

Po, marrja e drejtimit të BE është një proces automatik. Përndryshe askush nuk do ta kishte zgjedhur vullnetarisht Bullgarinë kryetare, aq më pak në kohët kur kryhen negociatat e Brexitit, kur caktohet kuadri i buxhetit 2021-2027 dhe kur duhet të kërkohen rrugëdalje nga kriza e refugjatëve. Por fakti që Brukseli, ashtu si edhe shumica e shteteve të BE drejtohet nga parti mes-i djathtë, të cilat ka vite që i injorojnë shkeljet në Bullgari, nuk është proces automatik.

Apo është? Partia GERB që qeveris prej vitit 2009 (me një ndërprerje të shkurtër) në Bullgari, në fakt një One-Man-Show e kryeministrit Boiko Borisov, është anëtare krenare e Partive Popullore Evropiane (PPE), të cilat kanë aktualisht shumicën në Parlamentin Evropian dhe në këtë mënyrë kanë të drejtën edhe të zgjedhin Presidentin e Komisionit Evropian. Por për shumicat e saj, PPE-së i duhen edhe politikanë të tillë të diskutueshëm si Viktor Orbani dhe Boiko Borisovi. Është i lig ai të cilit i vete mendja te një shprehje që i atribuohet ish-Presidentit të SHBA, Franklin D.Roosevelt: "He may be a son of a bitch, but he's our son of a bitch."

Liri e medieve? Ka gjëra më të rëndësishme

Bullgaria e Borisovit vërtet që kritikohet rregullisht ashpër për shkak të korrupsionit galopant dhe për shkak të drejtësisë së mangët - edhe nga radhët e PPE. Veçanërisht për këtë shkak ky vend së bashku me Rumaninë vazhdon të ndodhet nën vëzhgimin e Brukselit. Por kjo është e gjitha. Pasoja ose ndëshkim për shkak të mungesës së sundimit të ligjit deri tani nuk janë në rend të ditës. Edhe situata katastrofale mediatike gjithashtu nuk i intereson askujt, me përjashtim të disa organizatave joqeveritare si Reporterë pa Kufi ose Freedom House.

Në Bullgari nuk ka censurë dhe kabineti nuk ushtron ndikim mbi mediet, pohojnë pa u lodhur pushtetarët. E parë në sipërfaqe, kjo është e saktë, prandaj partnerët e BE kanë mundësi të heshtin të lehtësuar për këtë temë. Dhe në vend të kësaj të brohorasin për Borisovin: për politikën e tij konsekuente proevropiane, solidaritetin e tij në krizën e refugjatëve dhe për distancën e tij ndaj shteteve të Vishegradit.

Image
Alexander Andreev

Megjithatë ky vështrim sipërfaqësor të mashtron. Censurë direkte mund të mos ketë në Bullgari. "Por natyrisht ka fushata shpifjeje nga ana e shtetit dhe nga ana e qeverisë ka herë pas herë fushata njollosëse", thotë Drejtori Ekzekutiv i Reporterëve pa Kufi dhe njohësi i mirë i Bullgarisë, Christian Mihr. Por meqenëse tregu privat i reklamave është shumë i ngushtë, shumica e medieve varen nga reklamat e qeverisë ose të autoriteteve komunale, për të mbijetuar. Fushata imazhi për ministritë, programet qeveritare ose projekte të BE janë bukë e përditshme për shumicën e redaksive. Me këtë instrument qeveria mund të drejtojë pa u vënë re nga opinioni në mënyrë shumë efikase.

Jo vetëm vendi më i varfër dhe më i korruptuar 

Bullgaria është vendi më i varfër dhe më i korruptuar i BE - ky konstatim tashmë i stërpërdorur shihej gati në çdo raport mediatik në fillim të presidencës bullgare të radhës të BE në 1 janar 2018. Tani kjo mund të zgjerohet me një superlativë tjetër: Bullgaria është definitivisht vendi mediatik më pak i lirë i BE. Shumë bullgarëve u vjen turp që jetojnë në një vend të tillë. Por edhe bashkësia e shteteve të BE në fakt duhet të ketë turp që ka toleruar kaq gjatë rrethana të tilla. Direkt para hundës së saj - në një shtet që aktualisht drejton bashkësinë e shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat