Ankaraja shndërrohet në Venecia për 9 minuta

Evropë

Ankaraja shndërrohet në Venecia për 9 minuta

Më: 6 maj 2018 Në ora: 16:13
Ankara

Rrugët e Ankarasë u kthyen në lumenj të vërtetë pasi kryeqyteti turk u godit nga rrebeshe të paprecedentë shiu. Pamjet e burrit që e përdor makinën si dërrasë sërfi mes furisë së ujrave të rrëmbyer, bënë xhiron e botës brenda një kohe të shkurtër, duke u kthyer në imazhin e përmbytjeve të pazakonta e tejet të rrezikshme.

6 persona rezultojnë të jenë lënduar deri tani nga kushtet ekstreme të motit. Meterologët prisnin që reshjet e dendura të shiut pasditen e së shtunës të zgjasnin më shumë se tre orë, por e gjithë sasia e parashikuar e tij ra brenda vetëm 9 minutash, duke sjellë një situatë të vërtetë kaosi në lagjen Mamak.

Banorët e saj janë kthyer në dëshmitarë të skenave dramatike të shpëtimit të drejtuesve të automjeteve, që kishin mbetur të bllokuar në makinat e tyre. Qeveria turke po punon për të vlerësuar e mundësisht lehtësuar disi barrën e dëmeve, që besohet të kenë prekur më shumë se 160 makina e 25 biznese.

Për kryetarin e bashkisë së Ankarasë, Mustafa Tuna, kjo valë përmbytjesh është një fatkeqësi natyrore e niveleve të paregjistruara ndonjëherë më parë.

Shirat sipas ekspertëve nuk do të ndalen këtu, por pritet të vazhdojnë përgjatë gjithë javës, të shoqëruara nga rrufetë. Koha sipas tyre, do të hapet ndoshta vetëm nga e shtuna tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat