Policia italiane shkatërron dy grupe terroriste

Evropë

Policia italiane shkatërron dy grupe terroriste

Më: 11 maj 2018 Në ora: 16:44
Itali

Policia italiane njoftoi se ka shkatërruar dy grupe të dyshuara xhihadiste përmes një operacioni të madh anti-terrorizmi që çoi në një numër arrestimesh. Bastisjet e policisë u zhvilluan në rreth 20 prona në Italinë veriore dhe Sardenja. Ministri i Brendshëm Marco Minniti përshëndeti operacionet, duke deklaruar se dy struktura armiqësore janë neutralizuar.

Gjykatësit në veri të Italisë dhe Sardenjës, lëshuan urdhër-arrestet për operacionet "Luftëtarët e Huaj" dhe "Syriana". Zyrtarët thanë se të dy grupet ishin të bazuara në Lombardi dhe Sardenja. Ata besohej se kishin lidhje me militantët islamikë në Siri, përkatësisht Frontin Nusra të lidhur me al-Kaidën.

Hetuesit thanë se besonin se dy grupet vepronin në mënyrë autonome, ndonëse një individ duket se kishte lidhje me të dyja grupet.

Në një konferencë shtypi në Romë të enjten, kryeprokurori italian për çështjet e terrorizmit, Federico Cafiero de Raho tha se 14 vetë u arrestuan në këto operacione, duke përfshirë 11 sirianë dhe tre marokenë. Ai tha se ndaj katër prej tyre janë ngritur akuza për lidhje me organizatat terroriste. Të tjerët akuzohen për komplot për të financuar terrorizmin, përveç krimit për ndërmjetësim financiar abuziv me qëllim të pastrimit të parave.

Të arrestuarit janë imigrantë me të drejtë banimi në Itali.

Policia shtoi se ata ishin në gjendje të gjurmonin pastrimin e rreth 2.4 milionë dollarëve, një pjesë e kësaj shume u është dërguar Frontit Nusra. Prokurori tha se paratë u transferuan kryesisht duke përdorur shërbime të njohura si hawala që është i zakonshëm në pjesën më të madhe të botës arabe dhe shmang kontrollet e zakonshme për monitorimin e financimit të terrorizmit. Një numër i vendeve evropiane po përdoreshin për këto transferime.

Prokurori italian shtoi se hetimi kishte zbuluar lidhje midis atyre që financonin terrorizmin dhe imigracionin e paligjshëm, por nuk gjeti dëshmi se trafikantët emigrantë po sillnin luftëtarë të huaj.

Autoritetet suedeze bashkëpunuan me homologët e tyre italianë gjatë hetimeve dhe zyrtarët e policisë italiane thanë se ndihma e tyre ishte tepër e rëndësishme. Në fletë-arrest thuhej se njeriu që konsiderohej si kreu i organizatës ishte siriani Anwar Daadoue. Ai shpesh punonte në Suedi, ku ai tashmë është në paraburgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat