Bavari: Ligj i ri për policinë

Evropë

Bavari: Ligj i ri për policinë

Më: 22 maj 2018 Në ora: 08:10
Ilustrim

Në Bavari po protestohet kundër një ligji të ri për policinë. Javën e kaluar dolën në protesta dhjetra mijëra njerëz: 30 000 syresh vetëm në qendër të Mynihut - diçka që nuk ka ndodhur prej shumë kohësh.

Ligji po polarizon popullsinë në shtetin federal në jug të Gjermanisë, Bavari. Ministri i brendshëm i Bavarisë është i vetëdijshëm për këtë, por ai është i bindur se ligji i tij po e bën më të sigurt jetën në Bavari.  "Populli i Bavarisë duhet të vazhdojë të jetojë lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë - ky është qëllimi i ligjit të ri", thekson Herrmann. 

Ligji synon t'i japë më shumë hapësirë veprimi policisë. Bavaria shkon përtej reformave të ngjashme legjislative në shtetet e tjera federale. Policia nuk do të veprojë më vetëm kur ka një rrezik real, mjafton që të ketë edhe një "rrezik në afrim". Mjafton vendimi i një gjykatësi dhe mund të lejohen përgjime telefonatash,  emailash dhe trojanë në kompjuterët privatë.

Rrezik në afrim

Kryesuesja e grupit parlamentar të Landit në Bavari, Katharina Schulze, kritikon se ky është një term që zakonisht përdoret në luftën kundër terrorizmit, ndërsa tani do të përfshihet në punën e zakonshme të policisë. Ligji mundëson 39 mënyra të ndryshme për ndërhyrje policore, bazuar vetëm në supozimin e një rreziku në afrim.

Kështu për shembull, këtej e tutje policia do të ketë të drejtë të hapë edhe letra e pako, ose lejohet të përdorë edhe një ADN të zgjeruar për hetimet e saj. Veç kësaj, ligji u jep leje policëve që të pajisen me kamera në trup. Megjithë protestat e shumta, edhe nga ana e Sindikatës së Policisë, kristsocialët nuk duan ta ndryshojnë ligjin. Se përse Bavaria i bën edhe më të rrepta ligjet kriminalistike, kur dihet që është vendi me numrin më të ulët të krimeve, kjo e çudit Schulzen. "E bëjnë sepse shpresojnë të përfitojnë vota në fushatë", thotë ajo.

Në tetor Bavaria zgjedh një parlament të ri. Kristiansocialët që përfaqësojnë interesat e qendrës së djathtë dhe që kanë qenë në pushtet që kur është krijuar qeveria federale pretendojnë shumicën absolute të votave./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat