Refuzoi ministrin e Ekonomisë, në Itali kërkohet gjykimi i Presidentit

Evropë

Refuzoi ministrin e Ekonomisë, në Itali kërkohet gjykimi i Presidentit

Më: 28 maj 2018 Në ora: 08:41
Sergio Mattarella

Lideri i Partisë më të madhe politike në Itali ka kërkuar gjykimin e presidentit Sergio Mattarella, pasi ky i fundit vuri veton ndaj të zgjedhurit të koalicionit për postin e ministrit të Ekonomisë.

Luigi Di Maio, i lëvizjes së 5 Yjeve tha se presidenti kishte shkaktuar një krize institucionale. Përpjekjet e të mandatuarit Guiseppe Conte për krijimin e qeverise dështuan të dielën pasi Mattarella refuzoi kandidatin euroskeptik Paolo Savona, me pretendimin se ai do ta udhëhiqte vendin drejt daljes nga eurozona. Kjo shtyu juristin 54 vjeçar të hiqte dorë nga detyra.

Di Maio kërkoi gjykimin e presidentit mbi bazën e nenit 90-të të Kushtetutës, sipas të cilit Presidenti nuk përgjigjet për aktet e kryera gjatë kohës që ushtron detyrën, përveçse në rastin e tradhtisë së lartë apo sulm ndaj Kushtetutës.

Në këtë rast do të vihej ne gjendje akuze nga Parlamenti. Nëse shumica do të votonte pro shkarkimit, Gjykata Kushtetuese do të vendoste më pas nëse do ta gjykonte ose jo.

“Dua që kjo krizë institucionale të shkojë në parlament dhe me pas presidenti të dalë përpara drejtësisë’, ishin fjalët e Di Maios, i cili shtoi se besimi i tyre tek institucionet dhe ligjet ishte minuar.

Kreu i partisë tjetër të koalicionit, Lega Nord, Mateo Salvini kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Italia ka qenë pa qeveri që prej zgjedhjeve të 4 marsit që rezultuan pa një fitues të qarte.

Lega Nord dhe Lëvizja e 5 Yjeve arritën pak javë më parë një marrëveshje koalicioni dhe u përpoqën të krijonin qeverinë. Sipas mediave italiane, pas tërheqjes se Contes, presidenti Mattarella ka nisur bisedimet me ish-ekonomistin e FMN Carlo Cottarelli, i cili thuhet të jetë kandidat i mundshëm për kryeministër i përkohshëm.

Por sipas analisteve kjo zgjidhje nuk premton të japë rezultat, dhe votimi i parakohshëm është i pashmangshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat