Ministri francez i Financave: Po shkojmë drejt samitit G6 plus SHBA kundër të gjithëve

Evropë

Ministri francez i Financave: Po shkojmë drejt samitit G6 plus SHBA kundër të gjithëve

Më: 2 qershor 2018 Në ora: 11:16
Bruno Le Maire

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin do të jetë i izoluar gjatë takimit të ministrave të Financave të vendeve të G7-s në Kanada, kjo për shkak të tarifave të reja tregtare të vendosura nga Uashingtoni ndaj aleatëve të tij.

Ky është paralajmërimi i ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, gjatë mbrëmjes së të premtes. Ai shprehet se është përgatitur t’i thotë Mnuchinit se vendimi i Amerikës për vendosjen e tarifave ndaj Bashkimit Europian për importet e çelikut dhe aluminit është “tërësisht i papranueshëm, politikisht i padrejtë dhe ekonomikisht i rrezikshëm”.

“Për fat të keq do të kemi një takim G6 plus një takim me Shtetet e Bashkuara kundër të gjithëve, duke marrë përsipër kështu rrezikun e një destabilizimi ekonomik”, u tha Le Maire reporterëve të interesuar.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se do të vendosnin tarifa prej 25% ndaj importeve të çelikut dhe 10% ndaj atyre të aluminit nga Bashkimi Europian, Kanadaja dhe Meksika, duke i dhënë fund kështu muajve të tërë paqartësie mbi përjashtimin e mundshëm të tyre.

“Objektivi ynë është t’i rikthejmë autoritetet amerikane drejt një arsyetimi dhe mirëkuptimi”, tha Le Maire, duke shtuar se administrata amerikane ka dhënë “argumente jobindëse” për të justifikuar veprimin e saj me tarifimin.

Lëvizja e fundit e Shteteve të Bashkuara shton irritimin mes europianëve pas kërcënimit të Uashingtonit për të sanksionuar kompanitë europiane që bëjnë biznes me Iranin. Presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin.

Le Maire tha se do ta nxisë Mnuchinin për të përjashtuar nga sanksionet kompani specifike franceze, në mënyrë që ato të mund të veprojnë ende në Iran, por pa dhënë detaje se për cilat prej tyre kërkon këtë favor.

Tensionet e reja tregtare kanë tronditur tregjet financiare, të cilat ishin gjithsesi në mes të një kaosi për shkak të paqartësive mbi situatën politike në Itali dhe prej rritjes së çmimit të naftës. Le Maire mirëpriti krijimin e qeverisë në Itali, e tha se shpresonte që të takohej së shpejti me homologun e tij italian, për të diskutuar forcimin e Eurozonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat