Itali, Salvini kërcënon BE-në: Mbroni kufijtë e jashtëm, ose rishohim angazhimet financiare

Evropë

Itali, Salvini kërcënon BE-në: Mbroni kufijtë e jashtëm, ose rishohim angazhimet financiare

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 09:44
Ilustrim

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini i bëri thirrje Bashkimit Europian të mbrojë kufijtë e tij nga emigrantët e mbërritur nga Afrika, e la të kuptohej se nëse blloku nuk e ndihmon Italinë me krizën e azilkërkuesve, atëherë Roma është gati të rinegociojë angazhimet financiare me të.

Kreu i “Lega Nord “, i cili po shfaqet gjithnjë e më shumë si kryeministri “de facto” i vendit, e drejtoi gishtin e fajit nga trafikantët e qenieve njerëzore, duke i konsideruar përgjegjës për vdekjet në Mesdhe.

“Qëllimi është të mbrohet kufiri i jashtëm, jo ta ndajmë problemin mes vendeve europiane, por ta zgjidhim atë që në burim”, tha Salvini.

“Nëse dikush në BE mendon se Italia duhet të vazhdojë të jetë vend zbarkimi dhe kampesh refugjatësh, e ka kuptuar gabim”, vazhdoi ai.

Qasja e tij e ashpër ndaj emigrantëve ka fituar mbështetjen e partnerit të koalcicionit qeverisës, kreut të “5 yjeve”, Luigi Di Maio, i cili pajtohet me idenë që organizatave joqeveritare që shpëtojnë emigrantë t’iu mohohet hyrja në portet italiane.

“Ne i shpëtojmë emigrantët me Marinën tonë dhe Rojet tona Bregdetare. OJQ-të të shkojnë në ndonjë vend tjetër”, deklaroi Di Maio.

Ndryshimi i politikave të Italisë mund të nënkuptojë humbjen e mijëra jetëve të tjera në Mesdhe, – thonë kritikët, – por ekzekutivi italian kërkon të tregojë se drejtimi i erës tashmë ka ndryshuar dhe se, nëse Bashkimi Europian nuk vepron, atëherë Roma është e gatshme t’u kthehet masave drastike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat