Dënohet baroni rumun, politikani më i rëndësishëm në burg për korrupsion

Evropë

Dënohet baroni rumun, politikani më i rëndësishëm në burg për korrupsion

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 15:33
Dragnea

Liviu Dragnea, kryetar i Dhomës së Ulët të parlamentit rumun dhe praktikisht njeriu që tërheq të gjitha fijet e politikes në vend, është dënuar me tre vjet e gjysëm heqje lirie për abuzim me postin.

Vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi dhe lideri i partisë socialdemokrate ka të drejtën e apelit. Por ndërkohë ai ka nisur ta humbasë mbështetjen në radhët e partisë së tij dhe kjo mund t’ia lëkundë këmbët te mbiquajturit “Baroni i Rumanisë”.

Lëvizja e Gjykatës së Lartë kundër 55 vjeçarit lidhej me akuzat e krijimit te vendeve fiktive të punës për anëtarët e partisë së tij.

Dragnea është dënuar një herë për manipulim zgjedhjesh ndaj nuk bëhej dot kryeministër. Por si kryetar i partisë në pushtet, praktikisht qeverinë e ka pasur ai në dorë.

Shefja e ekzekutivit Viorica Dancila, thonë opinionistët, “e hedh vallen” siç e do Dragnea. Por shpërdorimi i pushtetit tani po i kthehet në boomerang dhe për këtë meritat i ka shoqëria civile. Që prej fillimit të 2017-tës, rumunët dalin të protestojnë rregullisht nëpër rrugë dhe duket se rezistenca e tyre demokratike po jep rezultat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat