Ozil nuk luan më për Gjermaninë; u kritikua për fotografinë me Erdoganin

Evropë

Ozil nuk luan më për Gjermaninë; u kritikua për fotografinë me Erdoganin

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 10:51
Mesut Ozil - i dyti nga e majta.

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil, tha se nuk do të luajë më futboll ndërkombëtar për Gjermaninë.

Ozil, 29 vjeç, tha se trajtimi që i ka bërë Shoqata Gjermane e Futbollit e ka shtyrë atë që "të mos veshë më fanellën e kombëtares gjermane".

Ai po ashtu tha se është fajësuar për rezultatin jo të mirë të Gjermanisë në Kampionatin Botëror të Futbollit.

Në muajin maj, Ozil është kritikuar pasi është fotografuar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në një ngjarje në Londër.

Ozil ka marrë pjesë në këtë ngjarje bashkë me futbollistin tjetër të kombëtares gjermane, Ilkay Gundogan.

Edhe Ozil, edhe Gundogan, i cili luan për Manchester City-n, janë me prejardhje turke.

Partia e Erdoganit më pas i ka publikuar fotografitë, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Turqi, të cilat janë fituar nga Erdogan.

Shumë politikanë gjermanë kanë hedhur dyshime mbi besnikërinë e Ozilit dhe të Gundoganit ndaj vlerave demokratike të Gjermanisë.

Gjermania, më herët, e ka kritikuar liderin turk për përndjekjen masive të kundërshtarëve, pas një përpjekjeje për puç, në vitin 2016.

Ozil tha se do të ishte "mosrespektim i rrënjëve të paraardhësve të tij", sikur të mos fotografohej me presidentin turk.

Ai tha se ai dhe familja e tij kanë marrë mesazhe të urrejtjes dhe telefonata kërcënuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat