Frankfurt, aeroporti i rikthehet normalitetit. Familja franceze vijon udhëtimin

Evropë

Frankfurt, aeroporti i rikthehet normalitetit. Familja franceze vijon udhëtimin

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 17:20
Frankfurt

Disa pjesë të Aeroportit të Frankfurtit në Gjermani u evakuuan për disa orë, pasi një familje u lejua të kalonte përtej kotrolleve të sigurisë, edhe pse rezultoi me alarm për eksploziv.

Policia federale gjermane ndaloi pasagjerët të hipnin në fluturimet e tyre, madje i nxori disa prej udhëtarëve jashtë zonës A të Terminalit 1 të aeroportit për rreth dy orë, për shkak të shqetësimeve se të paktën një person kishte hyrë pa u skanuar siç duhej.

“Shkaku i evakuimit të terminalit ishte një gabim i një oficeri sigurie. Pavarësisht se kontrolli rezultoi pozitiv për eksploziv, një familje franceze prej 4 anëtarësh u lejua të largohej nga zona e sigurisë”, tha policia përmes rrjetit social “Twitter”.

Pasagjerët i përshkruan po në rrjetet sociale skenat e konfuzionit, teksa evakuoheshin nga terminali i Aeroportit të Frankfurtit, që njihet si më i ngarkuari me udhëtarë në Gjermani.

“Një situatë e çmendur, njerëzit vetëm dalin. Na ka kapluar konfuzioni, por fatmirësisht nuk ka panik”, shkruan Adam Miller, udhëtar.

“Familja franceze u identifikua, u mor në pyetje dhe më pas u lejua të vazhdonte udhëtimin”, njoftoi më tej policia gjermane.

Terminali u rihap pas thuajse dy orësh dhe pasagjerët, sikurse edhe punonjësit e aeroportit dhe kompanive ajrore, u lejuan të riktheheshin në vendet e tyre të punës. Policia nuk dha asnjë detaj se çfarë e shkaktoi alarmin për eksploziv.

Rreth 1.500 fluturime ishin parashikuar të ngriheshin e zbrisnin në Aeroportin e Frankfurtit gjatë kësaj të marte, sipas operatorit zyrtar të tij “Fraport”. Ende nuk është bërë e ditur sesa fluturime u anuluan apo u shtynë si pasojë e evakuimit.

Edhe muajin e kaluar, rreth 300 fluturime u anuluan nga Aeroporti i Mynihut, i dyti më i madh i Gjermanisë, pas një incidenti të ngjashëm, në të cilin një person kaloi përmes zonës së sigurisë pa u kontrolluar me përpikmëri. Më shumë se 30 mijë pasagjerë u prekën nga ai incident.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat