Mediet: Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës do ta dyfishojë numrin e punonjësve

Evropë

Mediet: Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës do ta dyfishojë numrin e punonjësve

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 08:54
Presidenti Hans-Georg Maaßen

E ardhmja e Presidentit të Mbrojtjes së Kushtetutës Maaßen mbetet e hapur. Tani revista "Spiegel" informon se ai do ta shtojë në 6000 vetë numrin e punonjësve të institucionit të tij. Por këtë vendim nuk e merr ai.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës planifikon që të punësojë deri në vitin 2021 rreth 2900 punonjës të rinj, duke arritur kështu shifrën 6000 vetë. Këtë e bën të ditur revista "Der Spiegel" duke iu referuar informacioneve të Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme.

Me këtë hap, Presidenti Hans-Georg Maaßen synon ta sjellë Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në të njëjtin nivel strukturor me Shërbimin Informativ Gjerman (shërbimet e fshehta gjermane për botën e jashtme). Nga qarqe pranë Maaßenit, "Spiegeli" mësoi se me vendet e reja të punës do të forcohen edhe sektorët e kundërzbulimit, të mbrojtjes së dokumenteve dhe të mbrojtjes nga sabotazhi si dhe drejtoria e përgjithshme kompetente për islamizmin dhe terrorizmin islamik. Drejtoria e Përgjithshme kompetente për ekstremizmin e djathtë dhe terrorizmin e djathtë me sa duket nuk do të luajë më rol kryesor.

E pyetur nga disa agjenci lajmesh, ministria e Brendshme nuk dëshiroi të prononcohet për këtë lajm: planet për buxhetin dhe për ekononominë të Zyrës Federale janë kategorizuar si informacione të klasifikuara, u tha. Raporti aktual i Zyrës Federale të Mbrojtjes së Kushtetutës e jep me 3200 numrin e punonjësve të shërbimit gjerman të sigurisë së brendshme.

Planifikohen 7500 vende të reja pune në institucionet federale

Të gjitha institucionet gjermane të sigurisë në nivel federate dhe landi, sipas marrëveshjes së koalicionit qeveritar do të shtohen me 15.000 vende të reja pune, gjysma e tyre do të jenë punonjës në institucionet federale. Por ndarja konkrete ende nuk është bërë, deklaroi qeveria Federale në korrik, pas një interpelance përkatëse të të Gjelbërve në Bundestag.

Maaßen, i cili e drejton Zyrën Federale të Mbrojtjes së Kushtetutës që në vitin 2012 aktualisht është objekt i kritikave masive - për shkak të deklaratave të tij të kontestueshme për incidentet ksenofobe në Chemnitz, por edhe për shkak të takimeve me politikanë të AfD-së. Kritikohen më tej edhe deklarata kontradiktore të institucionit të tij për survejimin e atentatorit të tregut gjerman të Krishtlindjeve, Anis Amri. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, deri tani e mbështet Maaßenin. Të martën, krerët e koalicionit qeveritar do të vazhdojnë konsultimet e tyre për një shkarkim të mundshëm të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat