Hungari, 5 vjet burg për protestuesin sirian

Evropë

Hungari, 5 vjet burg për protestuesin sirian

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 18:27
Ahmedi ishte një ndër ata që protestonin në kufi.

Një gjykatë hungareze shpalli dënimin me pesë vjet burgim për një refugjat sirian, i cili u kap në vitin 2015 gjatë protestave në vijën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë. Refugjati Ahmed Hamed u akuzua për akte terroriste për veprime gjatë protestave. Akuzat e ngritura ndaj tij kanë zgjuar kritika të shumta ndaj qëndrimit të autoriteteve hungareze ndaj refugjatëve që përpiqen të vendosen në Perëndim.

Në verën e vitit 2015, qindra mijëra emigrantë e refugjatë kishin marrë udhëtimin e gjatë nga Turqia, në Greqi e pastaj përmes vendeve ballkanike për të mbërritur Evropën Perëndimore. Mes tyre ishin edhe prindërit e moshuar dhe familja e Ahmedit, të cilët u larguan për t’i shpëtuar luftës në Siri. Ahmedi jetonte në Qipro por kishte ardhur për t’i shoqëruar.

Ata u bllokuan në kufirin Hungari-Serbi, ndërkohë që autoritetet përpiqeshin të mbyllnin pikën e kalimit. Pamjet filmike janë marrë nga Zëri i Amerikës gjatë asaj periudhe.

Ahmedi ishte një ndër ata që protestonin në kufi.

“Ai qëlloi disa herë me gurë dhe u thërriste policëve që t’i lejonin refugjatët e mbledhur në kufi të kalonin në Hungari,” thotë Eda Seyhan e organizatës “Amnesty International”.

Ahmedin e arrestoi policia hungareze dhe në 2016 ai u shpall fajtor për terrorizëm dhe u dënua me 10 vjet burgim. Ja si u shpreh gjykatësi i çështjes:

“I pandehuri tundi gardhin, u përpoq të hapte drynin, hodhi sende drejt policëve të paktë tre herë”.

Pas apelimit të vendimit, në mars të këtij viti gjykata më e lartë mbajti në fuqi vendimin duke e shpallur Ahmedin fajtor për terrorizëm. Dënimi u ul në shtatë vjet burgim.

Gruaja dhe dy vajzat janë në Qipro. Organizata “Amnesty International” thotë se çështja e tij është dëshmi e politikave keqdashëse të Kryeministrit Viktor Oban ndaj refugjatëve:

“Qeveria e Orbanit është përpjekur të justifikohet për refuzimin e kërkesave për azil dhe për trajtimin e refugjatëve duke argumentuar se ata kanë në një farë mënyre lidhje me terrorizmin. Duke qenë se nuk kanë gjetur prova për këto argumente, po e përdorin rastin e Ahmedit si dëshmi për pretendimet e tyre,” thotë Eda Seyhan e organizatës “Amnesty International”.

Javën e kaluar Parlamenti Evropian votoi për të vendosur sanksione kundër Hungarisë për mosrespektimin e rregullave të BE-së mbi të drejtat bazë. Kryeministri Orban tha se po mbron në mënyrë legjitime kufijtë e jashtëm të Evropës:

“Hungaria po ndëshkohet pasi populli hungarez ka vendosur se ky vend nuk do të bëhet vend imigrantësh”.

Amnesty International përdori një projektor për të përcjellë pamje proteste para Ministrisë së Drejtësisë dhe kishte mbledhur 100 mijë firma për një peticion për lirimin e Ahmedit.

Vendimi i sotëm i gjykatës ul dënimin në pesë vjet burgim, por i përmbahet urdhërit që ai të dëbohet nga Hungaria për dhjetë vjet/voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat