Peter Brandt: Mjaft me qorrsokaqet neoliberale

Evropë

Peter Brandt: Mjaft me qorrsokaqet neoliberale

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 10:26
Peter Brandt

Në intervistën e javës për DW flet historiani Peter Brandt, i biri i ish-kancelarit Willy Brandt. Socialdemokratët duhet t'i kthehen rrënjëve të veta, sepse rënia e tyre në elektorat nuk ka të ndalur.

Vetëm 17 % e gjermanëve do të votonin aktualisht për Partinë Socialdemokrate SPD. Ata të cilët kanë menduar se SPD do të stabilizohet në koalicionin qeverisës, janë zhgënjyer. Debatet rreth ish-shefit të Zyrës federale për Mbrojtjen Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen e kanë dobësuar edhe më shumë pozitën e tyre, ndërkohë që fundi i rënies ende nuk po shihet. Peter Brandt, djali më i madh i ish-kancelarit Willy Brandt, thotë se rënia mund të ndalet vetëm nëse SPD i rikthehet "masës së punëtorëve dhe nuk orientohet drejt grupeve anësore të shoqërisë."

Willy Brandt ka treguar se si bëhen gjërat në vitin 1972. Në shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të atëhershme, SPD ishte në sondazhe 10% pas partive të Unionit, në krye me kandidatin e tyre për kancelar Rainer Barzel. Por SPD ia doli të mobilizojë zgjedhësit dhe me një mesazh të thjeshtë "Willy wählen" (Votoni Vilin) fitoi 45,8 % të votave, që është rezultati më i mirë në historinë e kësaj partie. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e jashtëzakonshme - me 91,1 %.

SPD duhet t'i kthehet çështjeve sociale

Sot  46 vite më pas, SPD po përballet me një konkurrencë të fuqishme - sepse edhe ekologjistët dhe majtistët kanë marrë votues të krahut të majtë. Por Brandt mendon se asnjë prej këtyre partive nuk ka arritur të afrohet sa duhet me popullin. Socialdemokratët duhet të përballen edhe me kritika të tjera, sepse pas vetes kanë lënë një vakuum, ku janë futur populistët e djathtë të Alternativës për Gjermani, AfD. "SPD është tërhequr shumë nga çështjet sociale, të cilat dikur kanë qenë themeli i politikës së saj", thotë ai

Forcimi i të djathtës në mbarë Evropën shihet nga Peter Brandt me shqetësim të madh. "Populistët e djathtë janë futur tek votuesit e të majtëve, pra edhe të socialdemokratëve". Demonstratat dhe incidentet në Chemnitz, si dhe parrullat fashiste e kanë mllefosur së tepërmi 69-vjeçarin. "Çdo djathtist nuk është nazist. Por tendenca e shkuarjes në të djathtë po shtohet, ndonëse një lloj trualli për nazistët në Gjermani ka pasur gjithmonë, që nga Lufta e Dytë Botërore."

Trendi duhet të ndalet

Peter Brandt thotë se edhe ai vet ka një përgjegjësi për parandalimin e këtij trendi. Ndaj është angazhuar me majtistët e tjerë në lëvizjen "Aufstehen" (Të ngrihemi), edhe pse shumica e socialdemokratëve e refuzojnë këtë lëvizje të drejtuar nga shefja e të Majtës, Sahra Wagenknecht. "Këtu nuk bëhet fjalë për shkatërrimin e partive të sotme, por për mobilizimin dhe influencimin e tyre".

Brandt mendon se SPD duhet t'u kthehet temave si barazia dhe solidariteti, që ishin edhe parullat e zgjedhjeve të vitit 2017. "Pikënisja ishte e mirë, por jo edhe konkrete", thotë ai. Peter Brandt beson se kjo parti ka një potencial prej 40 % të votave. Por kandidati për kancelar Martin Schulz, ka lejuar influencimin e tepërt nga këshilltarët dhe është shndërruar në një figurë neutrale politike dhe nuk ka mundur të profilizohet sa duhet.

Gjunjëzimi në Varshavë, një trashëgimi e përhershme e Willy Brandt

Willy Brandt ndoshta nuk do të bënte këtë gabim dhe do të mbështetej tek intuita e vet. Pavarësisht rrezikut që të humbë shumicën. Peter Brandt në intervistën e javës thotë se kjo ka të bëjë edhe me politikën e shtendosjes. Gjunjëzimi i Willy Brandit në Poloni ka lënë pasoja të përhershme. Djali i tij asokohe 22-vjeçar, Peter Brandt ishte i mrekulluar nga ky gjest, "që dikush që nuk ka kurrfarë ngarkese personale përulet, gjunjëzohet për krimet që ka bërë dikush tjetër në emër të popullit të tij." Peter Brandt pohon se babai i tij "ka bërë diçka të rëndësishme për njerëzimin"./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat