Decentralizimi apo copëtimi i Kosovës - Bota Sot
Decentralizimi apo copëtimi i Kosovës

Fejtone

E martë, 12 dhjetor 2017

Decentralizimi apo copëtimi i Kosovës

Nga: Msc Gani Kadriu Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 21:29
Msc Gani Kadriu

Dihet që procesi i Decentralizimit, mund të realizohet si spontanisht ashtu edhe me vetëdije. Arsyet janë nga më të ndryshmet: tekniko-teknologjike, ekonomike, politike, ushtarake-strategjike, etj., por duhet kujdes, që të bëhet dallimi, ndërmjet  decentralizimit absolut dhe atij relativ.

Nëse, pa u analizuar mirë, kalohet në decentralizim absolut, pasojat do të jenë fatale për Shtetin e Kosovës dhe popullin e tij, sepse decentralizimi absolut siguron kompetenca të favorshme për bashkësinë e komunave serbe, duke zvogëluar kompetencat e administrimit qendror të shtetit të Kosovës dhe pa vështirësi siguron kushtet ligjore edhe për ndarje territoriale të saj.

Shtrohet pyetja, po gjatë bisedimeve rreth procesit të Decentralizimit në Kosovë, me çfarë niveli profesional-shkencor, apo politiko-juridik janë përgjigjur pjesëmarrësit e shtetit të Kosovës, për interpretimin e drejtë dhe sigurimin e të drejtës shtetërore mbi pasuritë natyrore të territorit? Duke i dhënë të drejtë dhe mbrojtur sistemin e decentralizimit relativ, për të mos kaluar sistemi i decentralizimit absolut, kriteret e të cilit, bashkësisë së komunave me serbë në Kosovë, do t’u sigurojë të drejtat juridike për të vendosur dhe manipuluar me pasuritë natyrore të shtetit të Kosovës, gjithmonë në bashkëpunim me shtetin e Serbisë.

Duhet pranuar, se në Kosovë nuk kanë ekzistuar dhe ende nuk ekzistojnë as sot, parametrat politikë dhe ekonomikë për decentralizim të mirëfilltë, për integrim, sipas standardeve evropiane, pa sigurimin e të Drejtës Kushtetuese të Pushtetit Qendror të Republikës së Kosovës, për mbikëqyrje dhe planifikim të pasurive natyrore në gjithë territorin e vendit.

Më poshtë po shtjellojmë disa çështje që për mendimin tim janë thelbësore:

Mungesa e vigjilencës rreth procesit të decentralizimit, janë pasojat shkatërruese për territorin dhe popullin e Kosovës.  Një historik i shkurtër i organizimit të një pjese të territorit të Kosovës, dikur dhe sot.

Sipas rekomandimeve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, për qëllime të caktuara politike, pas vitit 1981 në Kosovë, nga 22 komuna që ishin, numri i tyre u shtua në 30. Kështu Komuna e Mitrovicës, e cila kishte 141 vendbanime me një sipërfaqe prej 794 km2, sot ka 47 vendbanime me një sipërfaqe prej 335 km2. (Pa përfshirë pjesën veriore, numri i vendbanimeve dhe territori i Mitrovicës është edhe më i vogël).

Komuna e Zubinpotokut, si vendbanim i Mitrovicës, në vitin1981 kishte 791 banorë. Sot kjo komunë me sipërfaqe prej 333 km2 (sa territori i Mitrovicës) dhe 61 vendbanime (98% etnikisht të pastra vetëm me popullsi serbe), ka rreth 6000 banorë. Vetëm në dy vendbanime ka popullsi shqiptare, me rreth 30% të popullsisë së përgjithshme të komunës.

Edhe komunës së Zveqanit, e cila deri në vitet ‘80 ishte vendbanim i Mitrovicës, me rregullimin territorial të përcaktuar sipas planeve politike të Serbisë, iu caktuan rreth 34 vendbanime me sipërfaqe 122 km2, ku 90% e të cilave, gjithashtu ishin etnikisht të banuara vetëm me popullsi serbe.

Në këtë mënyrë  u veprua me Komunën e Prishtinës dhe atë të Ferizajt.

Komunës së Ferizajt iu morën 16 vendbanime me  sipërfaqe 247 km2, të cilat iu shtuan komunës politike-strategjike, për lidhje me vendqëndrimet (enklavat) serbe, Shtërpcës, e cila në vitin 1981, si vendbanim i Ferizajt kishte 1911 banorë serbë. Sipas vlerësimit që ka bërë Enti Statistikor Federativ i Jugosllavisë (në vitin 1991 Kosova nuk pranoi që regjistrimin ta kryejë Enti Statistikor i Serbisë), në vitin 1991, si rezultat i formimit të Komunës së Shtërpcës, ku iu shtuan 16 vendbanime të komunës së Ferizajt, një pjesë e tyre e banuar me serb, ku sot aktualisht kjo Komunë ka mbi 8138 banorë serbë dhe 4574 banorë shqiptarë.

Në komunën e Kamenicës, me një sipërfaqe territoriale prej 521 km2, serbët jetonin në rreth 70% të 74 vendbanimeve, që siguronin lidhje të mira etnike me vendqëndrimet (enklavat) e tjera serbe përgjatë kufirit me Serbinë edhe brenda Kosovës.

Në vitin 1981, në Komunën e Prishtinës (Fushë-Kosovë, Obiliq, Novobërdë) jetonin 50269 banorë serbë e malazezë, ose ¼ e popullsisë së përgjithshme serbo-malazeze që jetonin në Kosovë, pra rreth 50% e të cilëve jetonin në qytetin e Prishtinës.

Po të marrim në analizë se cilat ishin arsyet që Novobërda, në vitet  ’80 si vendbanim i Prishtinës me 292 banorë gjithsej, prej të cilëve 275 banorë shqiptarë, 11 banorë serbë dhe 6 të tjerë, formohet si komunë dhe sot është me 10 vendbanime, ku aktualisht ka rreth 2900-3000 banorë shqiptar dhe mbi 1000 banorë serbë.

Nga këto parashtrime shtrohet pyetja cilat ishin arsyet për formimin e këtyre komunave xhuxhe-mëhalle në vitet ’80?  Sigurisht arsyet nuk ishin ekonomike, pasi në vitet ‘80 disa komuna të Kosovës, si Skënderaj, Gllogocë, Podujevë etj. të ardhurat reale kombëtare për banorë (kapita) i kishin rreth 30 dollarë dhe sipas nivelit ekonomik mund të regjistroheshin në vende me nivel jetese të ulët, pra në vende me varfëri ekstreme.

Mbas gjithë kësaj që bëri Shteti Serb, për ndryshime në organizimin territorial të Kosovës, përfundimi është i qartë, këto ishin modelet e ASHA të Serbisë për qëllime të caktuara territoriale.  

Sipas të ashtuquajturit model të Millosheviçit, decentralizimi do të mundësonte formimin edhe të 10 komunave të tjera që siguronin një bazë të mirë për ndarje të tjera të territorit të Kosovës.

Por mjerisht, menjëherë pas luftës në vitin 2004, modelin e Millosheviçit e përforcoi edhe më shumë propozimi i miopit, në atë kohë,  Kryetar i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, i cili, pas një vizite në SHBA, sapo arriti në Prishtinë, bëri të ditur se gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ka bërë të njohur idenë e Kuvendit të Kosovës për decentralizimin, ide e cila nuk ishte shqyrtuar kurrë më parë në këtë Kuvend. Vet z. Daciqi (i kompleksuari,  i cili në çdo prezantim thotë:  unë "akadem.." N.D), e kishte vlerësuar si projekt-ide të vetën dhe si më origjinalen, nga të gjitha ato projekt-ide që ishin propozuar, deri atëherë nga Këshilli i Evropës, Qeveria e Serbisë dhe grupi i përbashkët i "ekspertëve" vendorë dhe i atyre të UNMIK-ut. Për këto verbëri dhe miopi të Daci-qit, kanë reaguar Partia Demokratike e Kosovës, por ishte e kotë. Dokumenti i miopit Daci-q, përshkruante se si do të funksiononin komunat dhe qytetet, në bazë të projekt-idesë së decentralizimit të propozuar nga ai, duke formuar edhe 39 komuna për 7 qytetet më të mëdha të Kosovës (Gazeta KOHA DITORE, e hënë, 28 qershor 2004). Ky propozim, përforconte edhe me shumë idenë e Millosheviçit, për ndarjen territoriale të Kosovës, që tashmë po shihet fare qartë.

Për ata që donin të shtonin numrin e komunave, sipas modelit të Millosheviçit në vitet ’80, dhe thirrjes së Tadiçit,  i cili më vonë vajtonte shtimin numrit të tyre, shumë shpejt erdhi kërkesa e miopit Nexhat Daci, i cili pa vështirësi ua plotësoi dëshirat, duke propozuar shtimin e numrit të komunave në Kosovë nga 31 në 70, si njësi administrative, sipas tij, me sipërfaqe 70-100 km2.

Këto propozime për shtimin e numrit të komunave në një territor me sipërfaqe prej 10886 km2,  janë strategjia e përgatitur nga ASHAS, dhe e përkrahur nga miopët shqiptarë, që aktualisht rrezikojnë ndarjen territoriale të Kosovës.

Pas diskutimeve të para (në fillim të vitit 2003) dhe më pas në vijim të diskutimeve për Sistemin e Decentralizimit, disa prej përgjegjësve politikë të shtetit të Kosovës, të cilët të përkrahur nga shumë "intelektualë" me tituj të lartë shkencorë, e kishin gojën plot decentralizim, duke mos marrë parasysh se çfarë rreziku po i kanoset territorit të Kosovës.   

Para këtyre sjelljeve naive dhe të pa pjekura, të përgjegjësve politikë në Kosovë rreth procesit të decentralizimit, mjerisht heshti edhe ASHA e Kosovës.

Gabim njerëzor, politik dhe intelektual, apo qëllimisht,  bëri UNMIK-u, dhe personalisht Marti Ahtisari, i cili vazhdoi me angazhimet, deri sa caktoi  edhe kriteret për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, pa i kërkuar shtetit Serb përgjegjësi për krimet e bëra në Kosovë dhe pa hequr nga Kushtetuta e saj, Kosovën si pjesë e territorit.  Gabime fatale kanë bërë me radhë edhe qeveritë e Kosovës të zgjedhura deri më sot, duke biseduar dhe nënshkruar marrëveshje të pa shqyrtuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat edhe sot shteti serb nuk i vlerëson.

Fillimi i dialogut të brendshëm në Serbi më 30 tetor 2017, iniciuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç, po e vërteton haptazi ndarjen e Kosovës, duke u mbështetur në sistemin e decentralizimit të komunave me shumicë serbe.

Nga ana tjetër Ivica Daçiç, si Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, në një intervistë për Agjencinë “Rojters”, duke krahasuar Katalonën, për të cilën Spanja po lufton për të mbrojtur konceptin e vet për të, shprehet se edhe ne serbët mund të luftojmë për tokën tonë, dhe shton: "Serbija e konsideron dhe e vlerëson Kosovën si djepin e vet historik dhe do kërkojmë konferencë ndërkombëtare, e cila do të pengonte luftën e ardhshme, gjatë gjithë një shekulli".Mbi këto sjellje dhe thënie të politikanëve të shtetit Serb, rreth Bashkësisë së Komunave, Presidenti i Kosovës, kërkon me këmbëngulje, që: "Institucionet e Kosovës e kanë për obligim themelimin e Asociacionit të Komunave serbe sa më parë"./Vijon

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test